Prokurori special, Bekim Kodraliu në seancën e fjalëve hyrëse në rastin për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, tha se sulmi i 29 nëntorit 2024 nuk ishte një veprim spontan, por pjesë e një serie sulmesh të rënda të organizuara kundër rendit juridik dhe sigurisë kombëtare të Kosovës.
Ai tha se Prokuroria para trupit gjykues do të paraqes edhe prova që janë bërë në bashkëpunim me FBI nga ShBA dhe prova shkencore nga policia italiane, që dëshmojnë se të pandehurit janë fajtor për sulm terrorist.
Kodraliu tha se, sipas Prokurorisë, sulmi në Ibër-Lepenc përbën sulmin e katërt të kësaj natyre, pas sulmit ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë në vitin 2022, sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në vitin 2023, barrikadave dhe sulmit në Banjskë po atë vit. Ai tha se sulmi në Ibër-Lepenc është pjesë e një vargu sulmesh të rënda ndaj institucioneve dhe sigurisë së vendit.
“Sulmi në këtë kanal përbën vazhdimësi të një serie sulmesh të rënda, që në tre vitet kanë pasur për objektiv cenimin e rendit juridik dhe sigurisë kombëtare. Sipas provave që kemi siguruar dhe që do të paraqiten para jush, ky sulm paraqet sulmin e katërt të natyrës së tillë, pas ngjarjeve të mëhershme që kanë cenuar institucionet dhe sigurinë e vendit.
Më duhet të veçoj sulmin e zyrave të KQZ-së në Mitrovicë, në dhjetor 2022, duke vazhduar me sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj 2023, vendosjen e barrikadave dhe sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023 e duke u finalizuar me sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc” , tha ai.
Prokurori special tha po ashtu se një pjesë e provave lidhen edhe me trajnimet dhe përgatitjet që dyshohet se janë zhvilluar në Serbi. Ai tha se të dy vëllezërit e akuzuarit dyshohen edhe për vrajse të rënd në territorin e Istogut, duke kërkuar denim sipas kodit penal të Kosovës.
“Nga provat që do të paraqiten do të jenë edhe provat që paraqesin trajnimet dhe përgatitjet që janë zhvilluar në poligonin ushtarak të quajtur ‘Livadhet e Pasulit’, në Serbi, që tashmë po dyshohet që ka edhe varrezë masive, krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të kundërligjshme ndaj shtetit të Kosovës” , tha ai.
