Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka reaguar pas ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës të deputetëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Bekim Qoku dhe Adnan Azizi. Përmes një reagimi publik, Alizoti shprehu solidaritet të plotë me dy deputetët, duke e cilësuar të papranueshëm ndalimin e tyre për shkak të mbështetjes së protestës “Revolucioni Flamingo”.
Sipas tij, arsyetimi zyrtar se ndalimi lidhet me mbështetjen e kësaj proteste është një sinjal shqetësues për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. “Solidaritet i plotë me kolegët tanë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Bekim Qoku dhe Adnan Azizi, të cilët sot u ndaluan në Qafë Thanë. Arsyeja zyrtare? ‘Kinse’ për mbështetje të protestës ‘Revolucioni Flamingo’.
Pra, një deputet shqiptar ndalohet të hyjë në Shqipëri vetëm sepse guxon të mbështesë një lëvizje qytetare kundër qeverisë “, ka shkruar Alizoti. Ai e krahasoi këtë veprim me praktikat e regjimit të ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviç, duke thënë se shqiptarëve u mohohej e drejta e lëvizjes për shkak të bindjeve të tyre politike.
“Nëse mbështetja e protestës bëhet shkak për ndalim, atëherë kjo nuk është Shqipëri demokratike, por regjim që frikësohet nga zëri i lirë” , përfundoi deputeti i Partisë Demokratike.
