Shpërndaje në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës avancuan në një të tetën e finales të Kupës së Botës pas fitores 2:0 kundër Bosnjë-Hercegovinës. Por fitorja e amerikanëve kishte një çmim. Ylli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Folarin Balogun, nuk do të paraqitet kundër Belgjikës në një të tetën e finales të Botërorit.
Pasi realizoi golin, Balogun u përjashtua me karton të kuq për shkak të një ndërhyrjeje nga prapa, e ngjashme me atë të Lionel Messit. Po superylli Messi nuk u përjashtua. Madje, nuk ishte ndëshkuar as me karton të verdhë kur pengoi nga prapa një futbollist të Algjerisë, në ndeshjen hapëse të Grupit J.
Ish-qendërmbrojtësi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Lalas, tha se ndërhyrja e Balogunit ishte e ngjashme me atë të Messit në ndeshjen ndaj Algjerisë. “Duhet thënë se nëse emri i tij do të ishte Messi, siç e kemi parë më parë në turne, ai do të ishte ende në fushë”, tha Lalas.
Edhe përzgjedhësi, Maurizio Pochettino, nuk u pajtua me vendimin e gjyqtarit, duke insistuar se Balogun nuk kishte ndërmend të lëndonte kundërshtarin e tij. “Për mua? Nuk është kurrë karton i kuq, nuk kishte qëllim për të shkelur lojtarin. Ishte një veprim normal në futboll që ndodhi aksidentalisht”, tha trajneri argjentinas i SHBA-së.
