“Ishte një masakër”: Bandat në Haiti po kryejnë vrasje masive në

0%

Nga: The Guardian Përktheu:

Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Bandat kriminale në Haiti po zgjerojnë kontrollin përtej kryeqytetit Port-au-Prince, duke sulmuar fshatra të tëra, duke vrarë civilë dhe duke detyruar mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre. Masakra në fshatin Jean-Denis, ku u vranë të paktën 70 persona, është vetëm një nga episodet më të rënda të një vale dhune që po përhapet në të gjithë vendin.

Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se Haiti po përballet me një krizë të thellë të sigurisë, me një shtet gjithnjë e më të pafuqishëm përballë grupeve të armatosura. Ishte ora 2 e mëngjesit kur filluan të shtënat me armë. Lagjja rurale në Haiti ishte në gjumë. “Pam, pam, pam, të shtëna të shpejta vinin nga të gjitha anët”, kujton Merçide Daniel, 45 vjeçe, nënë e katër fëmijëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ishte banda ‘Gran Grif’. Ata erdhën për të marrë nën kontroll lagjen tonë dhe për ta përdorur si bazë të tyre”. Dhjetëra burra të veshur me rroba civile, me fytyrat pjesërisht të mbuluara me shami dhe me pushkë në qafë, u përhapën nëpër fshat duke qëlluar pa dallim. Banorët që u përpoqën të iknin u vranë gjatë arratisjes.

Të tjerë u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe u ekzekutuan nga afër. “Na sulmuan dhe qëllonin pa pushim. Unë vrapova dhe u fsheha në shkurre. Kur u ktheva për të parë, gjithçka ishte në flakë”, tregon Daniel, duke përshkruar sulmin e 29 marsit ndaj vendbanimit Jean-Denis nga banda “Gran Grif”, një prej organizatave kriminale më të rrezikshme në Haiti. Shtëpi pas shtëpie u dogjën.

Në disa prej tyre ndodheshin ende banorë që nuk mundën të dilnin. Të nesërmen në mëngjes, tymi vazhdonte të ngrihej mbi rrënojat. Shtëpitë dikur plot ngjyra ishin shndërruar në gërmadha të djegura. Me zbardhjen e ditës, dhjetëra trupa të pajetë shtriheshin përgjatë rrugëve. Në largësi dëgjoheshin ende të shtëna.

Të mbijetuarit ecnin mes trupave, filmonin skenat e shkatërrimit dhe kërkonin të afërmit e tyre. Në një grup viktimash, një burrë me bluzë ngjyrë bezhë ishte shtrirë përdhe. Ai kishte plagë në fytyrë dhe ishte qëlluar në gjoks dhe në krah. Gjaku kishte mbuluar tokën poshtë tij. Përballë tij ndodhej një tjetër burrë, i veshur me pantallona të shkurtra blu, me një plagë të rëndë në qafë.

Pak më tej, një burrë tjetër me këmishë me vija ishte shtrirë në shpinë, ndërsa gjaku i ishte grumbulluar rreth kokës. Një burrë me bluzë blu me kapelë qëndronte pa lëvizur në tokë. Kapela e bardhë i kishte rënë pranë. Një tjetër, i veshur me të kuqe, ishte vrarë ndërsa ishte fshehur poshtë një strehe të improvizuar. Këmbët i kishin mbetur të përthyera në pozicionin si ishte vrarë.

Një grua e moshuar, Marie Elvire Louis, 80 vjeçe dhe nënë e pesë fëmijëve, ishte mbështjellë me një batanije. Ajo u vra pasi u qëllua në qafë dhe në gjoks, pranë derës së shtëpisë së saj. Pranë saj ndodhej Kenold François, baba i katër fëmijëve. Ai ishte qëlluar disa herë në bark dhe kishte vdekur në oborrin e shtëpisë së tij.

Pesë anëtarë të familjes së Merçide Danielit humbën jetën në këtë sulm: dy xhaxhallarë, një hallë dhe dy kushërinj. Tre prej tyre u vranë ndërsa përpiqeshin të largoheshin, ndërsa dy të tjerët u dogjën të gjallë brenda shtëpive të tyre. “Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë. Ishte një masakër”, thotë ajo.

Prej vitesh, lufta mes bandave kriminale ka shkatërruar Port-au-Prince, kryeqytetin e Haitit. Bandat kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të qytetit, ndërsa autoriteti i shtetit pothuajse është zhdukur. Tani ato po zgjerojnë aktivitetin edhe në zonat rurale, të cilat më parë ishin kryesisht të mbrojtura nga kjo dhunë.

Bandat po sulmojnë komunitetet e bujqve, po marrin nën kontroll rrugët kryesore dhe po kryejnë masakra në fshatra të tëra. Duke analizuar dhjetëra video, fotografi, dëshmi të banorëve dhe imazhe satelitore të verifikuara, gazeta The Guardian ka rindërtuar ngjarjet e masakrës në Jean-Denis. Hetimi tregon përmasat e jashtëzakonshme të dhunës që po përhapet edhe jashtë qyteteve të Haitit.

Të paktën 70 civilë u vranë në këtë fshat, ndërsa mijëra banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Mes viktimave kishte njerëz të çdo moshe. As pleqtë dhe as fëmijët nuk shpëtuan nga dhuna. Estimable Fils-Aimé, 85 vjeç dhe baba i gjashtë fëmijëve, ishte fshehur në shtëpinë e tij kur anëtarët e bandës i vunë flakën. Ai u dogj i gjallë.

Oldy Thomas, 28 vjeç dhe baba i një fëmije, u qëllua disa herë me armë ndërsa përpiqej të ikte. Ndër viktimat më të vogla ishte Berlancia Dor, vetëm tetë vjeçe. Ajo po largohej me familjen kur u godit nga një plumb në gjoks dhe vdiq menjëherë. Thélomène Thelot, 62 vjeçe dhe nënë e pesë fëmijëve, u qëllua tri herë ndërsa ndodhej në kopshtin e shtëpisë së saj. “Nuk jemi më të sigurt.

Kemi humbur gjithçka”, thotë Daniel. Gerno Théophile, 61 vjeç, humbi gjashtë anëtarë të familjes dhe shtëpinë, e cila u dogj gjatë sulmit. Ai thotë se tani fle në rrugë, pasi nuk ka marrë pothuajse asnjë ndihmë nga shteti. “Jam jashtëzakonisht i zemëruar”, shprehet ai.

Terrori nga bandat Në rajonin Artibonite, ku ndodhi masakra e Jean-Denisit, numri i incidenteve të dhunshme që përfshijnë banda dhe grupe vetëmbrojtëse është rritur nga 39 raste në vitin 2021 në 238 raste gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të organizatës ACLED, e cila monitoron konfliktet në mbarë botën.

Edhe në njësinë administrative Centre, në pjesën qendrore të Haitit, incidentet e dhunshme janë rritur nga vetëm shtatë raste në vitin 2021 në 111 raste në vitin 2025. Analistët paralajmërojnë se dhuna po fillon të përhapet edhe në juglindje të vendit. “Grupet kriminale tashmë janë të pranishme në pesë nga dhjetë njësitë administrative të Haitit.

Dhuna po përhapet me shpejtësi”, thotë Nathalye Cotrino, studiuese e lartë në organizatën Human Rights Watch. Sipas të dhënave të organizatës ACLED, numri i incidenteve të dhunshme në të gjithë Haitin është rritur nga 615 raste në vitin 2021 në 1.626 raste gjatë vitit 2025.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 6.000 persona humbën jetën nga dhuna e bandave gjatë vitit 2025, ndërsa mbi 1.4 milionë njerëz – më shumë se një e dhjeta e popullsisë së vendit – janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Pierre Espérance, drejtor ekzekutiv i Rrjetit Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Haiti, një prej organizatave kryesore të të drejtave të njeriut në vend, thotë se grupet kriminale po mbjellin terror në zonat rurale. “Ata rrëmbejnë njerëz. Djegin kisha dhe shkolla. U vënë flakën shtëpive me banorët ende brenda. Kryejnë masakra, vrasje dhe përdhunime”, shprehet ai.

Ndërsa bandat zgjerojnë territorin e tyre, ato po marrin nën kontroll rrugët kryesore që lidhin Port-au-Prince me pjesë të tjera të vendit, si edhe zonat kufitare me Republikën Domenikane. Këto korridore përdoren për trafik droge, kontrabandë armësh dhe emigrantësh. Përmes pikave të kontrollit, bandat gjithashtu detyrojnë tregtarët dhe udhëtarët të paguajnë para për të kaluar.

“Ka pasur një rritje të madhe të përplasjeve mes bandave për kontrollin e rrugëve dhe kryqëzimeve kryesore. Arsyeja është e thjeshtë: ato sjellin shumë para”, thotë William O’Neill, eksperti i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Haiti. “Janë pika me rëndësi të madhe strategjike dhe ekonomike”.

Në muajin dhjetor, OKB-ja paralajmëroi se Haiti po shndërrohej me shpejtësi në një qendër të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa bandat po forcojnë lidhjet me rrjete kriminale jashtë vendit. Ngarkesat me kokainë që vijnë nga Amerika e Jugut transportohen me avionë drejt pistave të izoluara ose me varka në brigjet haitiane.

Më pas ato kalojnë përmes Republikës Domenikane drejt tregjeve në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Sipas Organizatës për Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP), disa grupe të armatosura janë shtrirë edhe përgjatë bregdetit të Haitit, ku u marrin para anijeve që kalojnë dhe kryejnë grabitje të armatosura në det.

Për pasojë, lufta mes bandave nuk zhvillohet më vetëm për lagje apo rrugë kryesore. Tashmë ato po luftojnë edhe për toka bujqësore, pika kufitare dhe komunitete të largëta që ndodhen përgjatë rrugëve të përdorura për aktivitetet e paligjshme. Njësia administrative Artibonite është bërë një prej objektivave kryesorë të tyre.

I njohur si “hambari i Haitit”, ai prodhon një pjesë të madhe të ushqimit të vendit dhe përshkohet nga rrugë të rëndësishme që lidhin kryeqytetin me veriun. Pikërisht për këtë arsye, Artibonite ka përjetuar disa nga episodet më të rënda të dhunës në vend. Gjatë vitit të fundit, banorët janë përballur me sulme të përsëritura, zhvendosje masive dhe një sërë masakrash.

Edhe njësia administrative Sud-Est po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një zonë me rrezik të lartë. Në muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar shtatë incidente të lidhura me bandat, ndërsa në vitin 2018 ishte regjistruar vetëm një rast.

Në prill, të paktën nëntë persona u vranë në atë që organizatat për të drejtat e njeriut e cilësojnë si masakrën e parë në këtë rajon, të lidhur me përhapjen e konfliktit të bandave.

Analistët besojnë se zgjerimi i dhunës drejt jugut lidhet me përpjekjet e autoriteteve për të rimarrë kontrollin e Port-au-Prince, duke i shtyrë bandat të zhvendosen në zona ku prania e shtetit është më e dobët.

“Bandat nga Port-au-Prince duket se po zgjerohen drejt njësisë administrative Sud-Est, ku përballen me më pak presion nga operacionet e policisë”, thotë Sandra Pellegrini, analiste e lartë për Amerikën Latine në ACLED.

“Nuk ka më jetë në Haiti” Që nga fundi i vitit të kaluar, Policia Kombëtare e Haitit, me mbështetjen e personelit ndërkombëtar dhe kompanive private të sigurisë – mes tyre edhe bashkëpunëtorë të Erik Prince, themeluesit të ish-kompanisë amerikane ushtarake private Blackwater – ka intensifikuar operacionet kundër bazave të bandave në kryeqytet.

William O’Neill thotë se disa prej drejtuesve të bandave janë larguar nga Port-au-Prince për t’iu shmangur sulmeve me dronë, një taktikë e re që po përdoret në këtë konflikt. Megjithatë, sipas tij, ata nuk e kanë braktisur kontrollin mbi kryeqytetin. Ata vazhdojnë të drejtojnë aktivitetet kriminale nga zonat rurale, ku janë më pak të rrezikuar nga sulmet.

Sipas të dhënave të analizuara nga Human Rights Watch, të paktën 1.243 persona janë vrarë në 141 operacione me dronë të zhvilluara mes marsit 2025 dhe janarit 2026.

Analistët vlerësojnë se përqendrimi i forcave haitiane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Port-au-Prince ka lënë pjesë të mëdha të vendit pa mbrojtje të mjaftueshme, duke u krijuar bandave mundësi të zgjerojnë kontrollin në zona ku autoriteti shtetëror është i dobët.

Në vitin 2024, në Haiti u vendos Misioni Shumëkombësh për Mbështetjen e Sigurisë (MSS), i udhëhequr nga policë kenianë dhe i financuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, me synimin për të ndihmuar në rivendosjen e rendit. Megjithatë, pavarësisht disa rezultateve në terren, misioni nuk arriti të ndalonte zgjerimin e ndikimit të bandave dhe u largua zyrtarisht nga vendi në prill.

Rolin e tij pritet ta marrë një forcë e re për luftën kundër bandave, e mbështetur nga OKB-ja. Megjithatë, kjo forcë nuk pritet të arrijë numrin e planifikuar prej 5.500 efektivësh para vjeshtës. Ekspertët paralajmërojnë se bandat po shfrytëzojnë këtë periudhë tranzicioni. “Bandat po testojnë kapacitetin dhe gatishmërinë e autoriteteve.

Ato po veprojnë gjithnjë e më agresivisht për të parë se si do të reagojnë institucionet”, thotë O’Neill. Situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e përgjegjësisë ligjore, dobësimi i institucioneve shtetërore dhe funksionimi i cunguar i sistemit të drejtësisë.

“Pandëshkueshmëria është arsyeja pse dhuna po përkeqësohet çdo ditë”, thotë Ulrick Tintin, drejtor për çështjet ligjore në organizatën haitiane për të drejtat e njeriut, “Défenseurs Plus”. Megjithëse në vend kanë ndodhur vazhdimisht masakra, rrëmbime dhe sulme ndaj civilëve, shumë pak drejtues bandash janë arrestuar ose janë përballur me drejtësinë.

Kjo u ka mundësuar grupeve të armatosura të zgjerojnë aktivitetin e tyre kriminal pothuajse pa frikën e ndëshkimit. Sipas tij, miliona qytetarë haitianë ndodhen sot të bllokuar mes bandave që vazhdojnë të zgjerojnë kontrollin dhe një shteti që nuk është në gjendje t’i ndalojë. “Nuk ka më jetë në Haiti”, thotë Pierre Espérance. “Populli është lënë në mëshirë të fatit”.

Burimi: Koha