Ish-portieri i njohur italian, Francesco Toldo, është bërë protagonist i një ngjarjeje jashtë futbollit. Ai u bë “hero” pasi kishte parandaluar një vjedhje të një biçiklete në qendër të Milanos, pranë Corso Vittorio Emanuele II.
Sipas mediave italiane, Toldo po parkonte skuterin e tij në Via Agnello kur vuri re një skenë të dyshimtë: një i ri po ndiqte një tjetër që po largohej me biçikletë. Pasi u informua se bëhej fjalë për një biçikletë të sapovjedhur, ish-portieri reagoi menjëherë. “E kuptova menjëherë se çfarë po ndodhte.
Sapo djali më tha se tjetri i kishte vjedhur biçikletën, ndërhyra me shpejtësi dhe e rrëzova përtokë”, deklaroi Toldo për ANSA-n. Pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist, Francesco Toldo është angazhuar me ekipin Inter Legends, ndërsa shërben edhe si vullnetar në Departamentin e Mbrojtjes Civile të Milanos.
