Fenomeni Përparim Rama

0%

PAN-i, dhe jo vetëm ai, kanë një merakosje të shtuar, se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i LDK-së? Në mesin e emrave të lakuar, dominon kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai nuk ka qenë dhe as nuk është anëtar i LDK-së! LDK-së ia imponoi Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij, Isa Mustafën, duke mos qenë asnjëherë i anëtarësuar në LDK-e!

Rrjedhojat e kësaj “loje” të pistë vazhdon t`i ndjejë edhe sot LDK-ja. Atëherë, pse u dashka provuar sërishmi një parashutist si Isa Mustafa?! Nominimin e Përparim Ramës, për kandidat-kryetar të komunës të Prishtinës, e bëri Lumir Abdixhiku, me Lidershipin e tij. Përtej partie, Lumiri me shokë, menduan për të mirën e Prishtinës, për Kosovën.

Thjeshtë, e vlerësuan profesionalizmin e tij, si arkitekt, duke shpresuar në zhbllokimin e Kryeqytetit nga ngulfatja urbanistike. Mosrealizimi i projekteve të arta, ishte zhgënjim i madh. Por, hedhja e fajit tek qeveria bllokuese, e mbajti shpresën në pritje. Andaj edhe fitoi mandatin e dytë, për kryekomunar të Prishtinës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dhe, krejt në nismë të mandatit të dytë, realizimi i parë u bë – Unaza e Prishtinës. Është përfolur edhe një rrugë paralele me unazën e lindjes, unazën nga perëndimi i kryeqytetit. Por, nuk u realizua për shkak të dy “objekteve të trashëgimisë!?”

Të gjithë kryeqytetet e botës, kanë sakrifikuar diçka nga trashëgimia e kaluar, për hirë të sotmes novatore, në shërbim të komunitetit, qytetarëve. Nuk e di nëse janë objekte të sulltanëve pushtues apo diçka tjetër. Por, nuk besoj ta tejkalojnë vlerën e nevojave që kanë qytetarët vendorë për zhbllokimin rrugor.

Në emër të trashëgimisë, ende vajtohet “Çarshia e Vjetër”, pazari në qendër të Gjakovës, edhe pse ishte një vjeturinë, që do ta shëmtonte qytetin sot. Edhe qytetet e tjera në botë kanë pasur vjeturina të tilla. Por, në vend të tyre janë ngritur objekte të hijshme dhe funksionale shumëkatëshe.

Dhe, në një kënd hapësinor, në lëndinë, është vënë një pllakë metalike, një çerek-metri, me mbishkrimin se “këtu ka ekzistruar x-y objketi.”

Kur kandidati për kryetar të komunës të Prishtinës, ka dhënë premtimin e mençur – për kthimin e stadiumit të Prishtinës në bazen, mikro-liqen, rivali në garë për kryetar komune, nga habia që dëgjoi, shpërtheu në të qeshura, deri në gajasje, duke mbajtur barkun me dorë! Por, arkitekt Përparimi, qartësoi bindshëm shqiptarët, se ky projekt mund të realizohet, veçse në mandatin e dytë.

Ideja e arkitektit markant londinez, Përparim Rama, i gëzoi qytetarët e Prishtinës dhe me gjerë. Ai aryetoi, faktueshëm dhe bindshëm, mundësinë e realizimit të këtij projekti jetik, sigurimin e burimit ujor dhe elemente tjera. Zakonisht, të gjithë kryeqytetet e rajonit dhe të Evropës i përshkojnë lumenjtë. Prishtina është rast unik që nuk gëzon këtë fat.

Të paktën, një mini-liqen në hapësirën e stadiumit aktual të Prishtinës, do ta zbuste, sado pak, vapën ekstreme, përvëluese në kryeqytet. Bërja e një liqeni artificial, madje në mes të kryeqytetit, është problematik. Sepse mungesa e një planifikimi të hershëm urbanistik të Prishtinës, ka krijuar gjendjen kaotike, aq sa nuk është lënë hapësirë të lirë për ndërtimin e ndërtesave ministrore.

Prandaj shpenzohen milionat për marrjen me qira të objekteve nga oligarkët e rinj të Kosovës. Janë skajshëm cinike dhe kriminale abuzimet e oligarkëve me pronat e shtetit dhe veprimet mujshare të tyre: Trojet tokësore shtetërore, pasuri e brezave shqiptarë, janë uzurpuar dhunshëm nga oligarkët e rinj.

Ndërtimi i objekteve shumëkatëshe është bërë nga vjelja e haraçit të dhunshëm dhe, herë-herë, të përgjakshëm si dhe tenderimeve korruptive. Dhe, tani këto objekte i jepen shtetit me qira të majme! “Luaje macë kryet e buallit!”

Ndërsa bërja e një stadiumi është çështje e thjeshtë: “Tulla e llaç”.- siç thonë vëllezërit tanë tej kufirit; lokacioni është i gatshëm dhe i bollshëm, janë tokat e pushtuara, jashtëligjshëm dhe kriminalisht, nga Azem Syla, me bandën e tij! Kujtoni “Procesin Tokat”, i zgjatur vite të tëra! Rezuktati “u mbars mali dhe polli një mi”, por shefi i SHTAB-it, Azem Syla në liri!

Kërkesa për bërjen e Stadiumi Qendror në Drenicë, ishte mendësi provinciale dhe hiç funksionale: Së pari; largësia e panatyrshme dhe e kushtueshme në kohë dhe xhep; Së dyti, autorruga, arterie që lidhë Dukagjinin dhe përtej – Shqipërinë, me frekuentim të dendur, do të ishte problematike, bllokuese.

Aktivitetet e shumëllojta sportive, sidomos ndeshjet e futbollit, do të ishin pengesë serioze, për lëvizje normale në autorrugën që përshkon Drenicën. Zakonisht, propozimet e PAN-it për kryetar të ardhshëm të LDK-së, jepen, kryesisht, nga grupi i klanit të Mustafës.

Do të ishte paradoksale e fatale, që LDK-ja të kapet sërishmi nga një klan, i cili, mendërisht dhe shpirtërisht, është i lidhur me PDK-në. Preferenca e PAN-it për zgjedhjen e Përparim Ramës, për kryetar të LDK-së, janë “pazare pa hanxhinë!” LDK-ja është themeluar si parti e djathtë.

Pavarësisht rrugëtimit të saj, humbjeve seriale pas amshimit të kryezotit të saj, Presidentit Rugova, përsëri ajo mbetet e djathtë. Përparim Rama mund të bëhet, natyrshëm, edhe president i Republikës të Kosovës. Por, qenia kryetar i një partie politike, pa pasur asnjë lidhje personale e familjare me partinë në fjalë, është problematike.

Rrjedhimisht, është çështje parimore dhe nonsens në rreshtim me kahje diametralisht të kundërt!

Burimi: Bota Sot