Ish-përzgjedhësja e aktorëve të Bondit: Asnjëri nga favoritët s’duhet të jetë agjenti i ri 007

0%

Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Debbie McWilliams, ish-drejtoresha e ekipit përzgjedhës të aktorëve të filmave të James Bondit, ka shprehur dyshimet e saj për tre emrat e aktorëve që po përfliten si favoritë për të marrë rolin e ri të agjentit 007, ka shkruar FemaleFirst.

Pas largimit të aktorit Daniel Craig, i cili luajti për herë të fundit rolin e agjentit në filmin “No Time to Die” (në vitin 2021), Amazon MGM Studios është në kërkim të aktorit që do të interpretojë James Bondin në filmat e ardhshëm. Sipas raportimeve, aktorët Callum Turner, Harris Dickinson dhe Jacob Elordi janë kandidatët kryesorë.

Megjithatë, McWilliams, e cila ka përzgjedhur aktorët për 13 filma të James Bondit, nuk mendon se ndonjëri prej tyre është zgjedhja e duhur. “Është absolutisht thelbësore që ai të ruajë një mister të plotë. Nuk dua ta shoh asnjërin prej tyre si James Bond, sepse tani dimë shumë për ta”, ka thënë ajo për gazetën The Independent.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, publiku duhet të dijë sa më pak për jetën personale të aktorit që luan Bondin, në mënyrë që personazhi të mbetet i besueshëm. “Duam të dimë sa më pak për jetën e tij personale, sepse kështu janë spiunët. Nuk kemi nevojë të dimë ku bën pazar, kush janë prindërit e tij apo ku jeton”, ka thënë ajo.

McWilliams ka shtuar se një element i rëndësishëm i personazhit është fakti se Bond ka “licencë për të vrarë”, ndaj publiku duhet ta besojë plotësisht në atë rol. “Nëse nuk e beson këtë, atëherë e ke humbur publikun”, ka thënë ajo.

McWilliams, e cila doli në pension pak para se Amazon MGM Studios të merrte kontrollin e ekskluzivitetit, ka thënë se do të preferonte që roli t’i jepej “dikujt krejtësisht të panjohur”. Ajo ka zbuluar gjithashtu se gjatë viteve kishte marrë kërkesa të pazakonta nga emra të famshëm që dëshironin të ishin pjesë e filmave të Bondit.

“Kaloi një periudhë kur na kontaktonin njerëzit më të pabesueshëm, si Michael Jackson. Edhe Madonna arriti të futej në listë dhe ka edhe një emër tjetër që nuk mund ta zbuloj”, ka thënë ajo. Në fund, McWilliams paralajmëroi se roli i James Bondit nuk është aspak i lehtë. “Është një punë jashtëzakonisht e vështirë. Të gjithë kanë pësuar lëndime.

Ata sakrifikojnë dy vjet nga jeta e tyre, nuk kanë jetë personale dhe punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Nuk është rol për këdo”, ka thënë ajo. Ajo ka shtuar se roli i James Bondit është “ndoshta puna më e vështirë në botën e aktrimit, me përjashtim, ndoshta, të aktorit Tom Cruise”.

Burimi: Koha