Një tjetër futbollist i njohur i futbollit ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si profesionist. Përmes një mesazhi emocional, Besar Musolli njoftoi se pas shumë vitesh të mbushura me sakrifica, përkushtim dhe kujtime të paharrueshme, ka marrë vendimin të tërhiqet nga futbolli aktiv.
“Futbolli ka qenë më shumë se një sport për mua; ka qenë rrugëtimi që më ka formuar si njeri dhe si sportist”, shkroi ai. Gjatë karrierës së tij, ai veshi fanellat e KF Hysi, FK Kukësi, SC Gjilani dhe KF Llapi, ndërsa theksoi se çdo klub ka një vend të veçantë në zemrën e tij. Po ashtu, ai e cilësoi si një nga nderet më të mëdha përfaqësimin e Kombëtares së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në mesazhin e lamtumirës, futbollisti falënderoi familjen, trajnerët, bashkëlojtarët, stafet teknike, drejtuesit dhe tifozët për mbështetjen gjatë gjithë karrierës, duke shtuar se largohet nga fusha me kokën lart dhe krenar për gjithçka që ka përjetuar. “Faleminderit, futboll! Për gjithçka” , përfundoi ai në mesazhin e tij.
