Pas një karriere të gjatë në gazetari dhe raportim në periudha të vështira për Maqedoninë e Veriut, gazetarja Dijana Toska ka njoftuar pensionimin e saj, duke shprehur njëherësh pakënaqësi për mënyrën se si institucionet trajtojnë brezin që kontribuoi në rrethana të jashtëzakonshme, por që sot përballet me mungesën e dëshmive administrative për punën e bërë.
Në një reagim në Facebook, Toska e cilësoi pensionimin si një moment të hidhur reflektimi, duke thënë se një jetë e tërë pune, raportimesh, udhëtimesh, përgjegjësie dhe sakrifice nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me dokumentacionin që kërkon sistemi.
Ajo theksoi se, ndonëse mund ta dëshmojë kontributin e saj me mijëra kronika, raportime, mirënjohje dhe kujtime, nuk disponon dokumentet administrative që sot kërkohen për njohjen e plotë të stazhit të punës.
Sipas saj, brezi i gazetarëve dhe veprimtarëve që punuan gjatë viteve të represionit dhe luftës nuk kishte kontrata pune apo sigurime pensionale, por përballej me largime nga puna, kontrolle, dhunë dhe rrezik të vazhdueshëm. Për këtë arsye, Toska tha se shumë prej kontributeve të asaj kohe nuk janë evidentuar në arkivat shtetërore. “Ka dallim mes kontribut-paguesit dhe kontribut-dhënësit.
Brezi ynë ndoshta nuk figuron si kontribut-pagues në arkivat e shtetit, por ishte kontribut-dhënës në çdo aspekt të jetës shoqërore dhe kombëtare” , ka shkruar ajo në Facebook.
Në reagimin e saj, Toska kritikon faktin se sot sistemi njeh kryesisht dokumentet zyrtare, ndërsa, sipas saj, sakrifica, puna humanitare dhe angazhimi profesional në periudha të jashtëzakonshme mbeten jashtë vlerësimit institucional.
Ajo shprehet se është e dhimbshme kur një brez që kontribuoi në ndërtimin e shtetit dhe raportoi në kohë lufte përballet me pensione të ulëta dhe me vështirësi për të dëshmuar vitet e punës. ” Pensioni erdhi. Fjala nuk del në pension. Me shnet i gzofsha 150 euro!”, përfundon Toska.
