Ka nisur zyrtarisht fushata e korrje-shirjeve në Komunën e Gjilanit, ndërsa kryetari i komunës, Alban Hyseni, ka vizituar fermerët në fshatin Zhegër për të përcjellë nga afër fillimin e sezonit të korrjes. I shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bujqësisë, Driton Sylejmani, Hyseni u njoh me punimet që po zhvillohen në terren dhe bisedoi me bujqit për sfidat dhe nevojat e tyre.
Kryetari i Gjilanit tha se pati rastin të vizitonte sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella me kultura bujqësore dhe të bisedonte me fermerët për punën që po bëjnë. “Kalova një ditë të shkëlqyer në terren me bujqit tanë punëtorë.
Patëm kënaqësinë të takonim Alfonsin, me të cilin biseduam nga afër për punët e mëdha që po bëhen në këto 75 hektarë tokë të mbjella me grurë e misër”, ka deklaruar Hyseni. Ai theksoi se institucionet komunale do të vazhdojnë të jenë pranë sektorit të bujqësisë përmes mbështetjes së vazhdueshme. “Sfidat e tyre janë edhe tonat, prandaj përkushtimi ynë mbetet maksimal.
Do të jemi gjithmonë pranë tyre me subvencione dhe lehtësime për çdo hap. Paçi korrje të mbarë dhe plot bereqet në familjet tuaja”, është shprehur kryetari i Gjilanit. Fushata e korrje-shirjeve pritet të vazhdojë gjatë javëve në vijim në të gjitha zonat bujqësore të Komunës së Gjilanit.
