Industria e ndërtimit sërish ka marrë një jetë. Të dielën e 5 korrikut, një grua 46-vjeçare nga Lipjani ka vdekur gjatë kohës kur po punonte në një objekt banesor, i cili është i papërfunduar. Ngjarja ka ndodhur në një objekt që ndodhet në qendër të Shtimes, i cili është përdorur për banim edhe pse nuk kishte pranim teknik. Kallxo.com ka gjurmuar disa fakte.
E para: Prokuroria e Shtetit nuk ka dërguar ndonjë prokuror në vendin e ngjarjes. E dyta: provat të cilat ndërlidhen me vdekjen e 46-vjeçares nuk janë mbledhur, por janë lënë në vendin e ngjarjes.
Madje, vendi ku ka ndodhur ngjarja, edhe pse i rrezikshëm, është rikthyer për përdorim tek pronarët pa u siguruar nëse janë marrë masat mbrojtëse. 46-vjeçarja ishte duke ndihmuar familjen e një kushërire të saj për të pastruar banesën, e cila ndodhet në katin e tretë.
Sipas asaj që shihet në vendin e ngjarjes, ajo dyshohet se ishte duke shkundur disa qilima kur mbrojtëset metalike, që ndryshe njihen si ‘gilindera’, ishin shkëputur. Ajo kishte rënë bashkë me tepihët dhe gilinderat nga kati i tretë. Të gjitha këto prova janë lënë në vendin e ngjarjes, edhe përkundër faktit se në këtë vend ka vdekur një grua.
Në momentin kur gruaja nga Lipjani ra nga kati i tretë, në vendin e ngjarjes kishte edhe kalimtarë të rastit, të cilët u munduan t’i japin ndihmën e parë, tashmë të ndjerës. “…S’besoj që kanë qenë minuta nga momenti i rrëzimit, kanë qenë sekonda. E kam ndalur kerrin menjëherë e i kam thënë shoqes sime: ‘Shiko, është një grua e shtrirë në tokë’.
Unë hala pa e ndalur kerrin mirë, shoqja ka zbritur prej kerrit edhe ka shkuar te viktima aty. Në moment, derisa ka shkuar shoqja ime atje, ka dalë edhe djali i saj nga ndërtesa. A djali a çka ka qenë, ka dalë prej katit edhe ka bërtitur me të madhe: ‘Mamë, mamë!’. Ajo nuk po lëvizte fare. Shoqja ime është afruar afër, ia ka filluar me ia dhënë ndihmën e parë.” – rrëfeu Mustafë Beqa.
Më pas në vendin e ngjarjes kishte arritur policia dhe ekipet e emergjencës. “Po, ajo kishte puls hala në ato momente, se së pari ia mati pulsin. Pulsin e pati pak, edhe u munduan me bërë çmos. Shoqja ime i tha djalit të vet, tha: ‘Jepja frymën, a din, në gojë’. Po ai djali ishte i tëri i habitur, i shokuar prej tmerrit edhe s’mundi me reaguar.
Tani shoqja ime është munduar edhe frymën me ia dhënë vetë, edhe me këto pompat që i kishim. Në moment ka ardhur policia, shumë shpejt kanë ardhur, vërtet shumë shpejt kanë ardhur. Ka ardhur edhe ndihma e shpejtë menjëherë pas policisë, e kanë marrë viktimën edhe e kanë dërguar me urgjencë.
Tash e ndjeva se çfarë ka ndodhur, atëherë domethënë… viktimë po thonë, po e konstatojnë mbas fjalëve domethënë që ka ndërruar jetë në spital”- shpjegon Beqa. Sipas rregullave, kur një ndërtesë u lëshohet në funksion banorëve, gilinderat do të duhej të ishin të testuar dhe të ishin të sigurt.
Një strukturë metali që të shkëputet duhet presion i madh, përpos nëse ajo nuk është vendosur siç duhet. Për të konstatuar nëse metali i përdorur ishte ai që duhet dhe nëse puna ishte kryer sipas standardeve, Kallxo.com ka tentuar të mësojë nëse prokuroria ka hetuar deri në fund këto rrethana. Ajo çka është parë në vendin e ngjarjes ka qenë befasuese.
Pas ngjarjes, në zonë kishin qëndruar disa ekipe të policisë, por jo edhe prokurori i shtetit, ndërsa prova kryesore në këtë rast – gilinderi – nuk është dërguar fare për analiza më të thella. Kallxo.com ka tentuar të marrë shpjegime nga Prokuroria e Ferizajt për këto rrethana. Prokurori të cilit i është besuar hetimi i këtij rasti është Ismet Rrahmani nga Prokuroria e Ferizajt.
Rrahmani nuk ka pranuar të japë intervistë për këtë rast. Për të kuptuar nëse gilinderat kanë qenë të montuar sipas standardeve, duhet të paktën të dërgohen për ekspertizë. Përveç gilinderave, në vendin e ngjarjes është parë që as bulonat të cilët e kanë ngjitur këtë strukturë nuk janë sekuestruar për t’u dërguar në analiza nëse ishin sipas standardeve.
Teksa provat janë në vendin e ngjarjes dhe nuk janë në laborator, në vendin e ngjarjes dokumentohet se gilinderat në katet e tjera të ndërtesës janë të vendosura pak më ndryshe se në këtë rast. Kur analizohen pamjet, del që gilinderat në vendin ku ka ndodhur ngjarja janë vendosur me bulon, i cili është vendosur në platformën e metalit e më pas në kornizën e dritares.
Pas konsultimeve me disa njohës, ata kanë treguar që në këto situata buloni duhet të jetë aq i gjatë sa t’i kalojë të gjitha shtresat e plastikës e në fund të arrijë në shtresat e aluminit të cilat janë të vendosura në kornizat e profileve të dritares.
Për të kuptuar pse këto materiale nuk janë marrë si prova në vendin e ngjarjes, Kallxo.com ka telefonuar edhe kryeprokurorin e Ferizajt, Burim Çerkinin. Përmes telefonit, kryeprokurori tha se aktualisht rasti është në fazën e hershme të hetimeve, andaj nuk mund të deklarohet për rastin.
Kallxo.com nuk mori përgjigje konkrete as në pyetjet e dërguara në adresën zyrtare të Prokurorisë Themelore të Ferizajt. “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka udhëzuar dhe autorizuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe verifikuese, me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Aktualisht, Prokuroria është në pritje të këtyre raporteve dhe informatave përkatëse, të cilat do të analizohen dhe vlerësohen në kuadër të procedurës hetimore.
Çështjet e ngritura në pyetjet e juaja lidhur me rrethanat e ngjarjes, kushtet e objektit, sigurisë etj., janë aktualisht pjesë e hetimit që është duke u zhvilluar, andaj në këtë fazë fillestare të procedurës hetimore, kjo është e gjitha çka mund të ndajmë.” – thuhet në përgjigjen me shkrim të datës . Gjatë hulumtimit janë kuptuar edhe rrethana të tjera.
Pronari i banesës ende nuk është marrë në pyetje. Bëhet fjalë për Gafurr Ahmetin. Ai e kishte blerë këtë pronë në janar të vitit 2022 nga kompania “Kastrioti” me bazë në Carralevë, duke besuar në premtimet se po blinte një banesë funksionale. Ahmeti rrëfen ekskluzivisht për natën kritike.
“Unë as se kam parë kur ka hyrë ajo, mikesha, as qysh ka hyrë, sepse s’kam qenë në shtëpi, se s’rri unë në këtë shtëpi. Veç mbasi u krye darka, i ka ardhur gruas sime një telefonatë ku i treguan që ka ndodhur një gjë e rëndë… Edhe erdha menjëherë këtu te objekti, i shoh policinë ish rrethuar vendin krejt me shirita… Tani u mor vesh që edhe djali i saj ka qenë këtu.
Djali ka qenë duke këqyrur televizor në dhomën tjetër, ajo paska hyrë në atë dhomë ku ishte dritarja, edhe më shumë… asgjë s’di se si ka ndodhur.” – thotë Ahmeti.
Ai tregon edhe faktin se si u shit kjo banesë pa asnjë kriter sigurie dhe faktin se asnjë zyrtar komunal apo inspektor nuk u ka trokitur kurrë në derë për t’i paralajmëruar se po jetonin në një objekt të jashtëligjshëm dhe krejtësisht të rrezikshëm për jetën. “Banesën e kam marrë në këtë gjendje.
Unë e kam blerë prej këtyre djemve të firmës ‘Kastrioti’ nga Carraleva, po, nga Carraleva janë ata djemtë. Marrëveshja ishte me çelësa në dorë. Veç më ka thënë ai, që prej fillimit më ka thënë, ‘shkon një vit deri në dy vjet maksimumi, shkon kohë deri të rregullohet banesa dhe krejt objekti’.
Edhe unë isha dakord në atë kohë, thashë okej, një vit deri në dy vjet pritje, çmimi që ma dha më konvenonte. Edhe e kemi bërë kontratën zyrtare tani pas një kohe, në janar, jemi bërë gati për ta kryer atë kontratën te noteri. E kemi nënshkruar. Kur e nënshkruam kontratën e sheh që tani dalin nja 100 gjëra të tjera e probleme që nuk t’i tregojnë në fillim.
Gjatë kësaj periudhe që kemi qëndruar këtu…, jo, jo, jo, asnjëherë s’kemi pasur ndonjë telashe apo lëkundje me ato gilindera, asnjëherë. Veç po, po të tregoj të drejtën, kurrkush s’u afrua fort te gilinderat asnjëherë, se unë kam ndenjur gati gjithmonë, kam ndenjur me frikë, se vetë s’kam besuar në këto ndërtime të reja, po të kallëzoj të drejtën.”- thotë Ahmeti.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë paralajmërim nga autoritetet lokale për rrezikun që paraqet objekti, ai thotë se nuk është vizituar nga askush. “Jo! Hiç, hiç kurrë asgjë, hiç asnjëherë. S’i ka interesuar kujt në komunë për ne, hiç fare. Hiç, hiç, bash kurrkush hiç.
Veç policia atë natë që ka ndodhur tragjedia kemi qenë këtu me policë, me shumë policë rreth ndërtesës, edhe unë vetë e pyeta një polic aty, i thashë: ‘A merr, vëlla, përgjegjësinë dikush për këtë punë, a merr kush përgjegjësi për këtë rast, se s’është në rregull’.” – përfundoi Ahmeti. Kallxo.com ka kontaktuar me kompaninë Kastrioti nga e cila Gafurr Ahmeti e kishte blerë banesën.
Kastriot Fazliu nga kjo kompani tha se banesën e kishte marrë me kompensim nga një betonjerkë, emri i të cilës nuk i kujtohej. As ai nuk e dinte se kush i kishte vendosur gilinderat në banesë. Investitori që ka ndërtuar këtë ndërtesë është zhdukur, ndërsa objekti vazhdon të përdoret nga banorët. Përgjegjës për sigurinë publike dhe sigurinë e objekteve kolektive në vend janë komunat.
Mustafë Beqaj, i cili ishte në vendin e ngjarjes kur ndodhi tragjedia, është pronar i disa banesave në këtë kompleks. Ai tregon për historikun e ndërtimit të objektit. “Diku në tetor të vitit 2016 ka filluar si projekt. Ky objekti ka pasur me përfunduar krejtësisht në janar të vitit 2019. Më 16 janar ka pasur afat.
Ne kishim marrëveshje që nëse s’përfundon objekti me kohë, kemi pasur me na i marrë ato farë kompensimet që shkojnë sipas kontratës për lëshimin e tokës. Edhe më prej atëherë, deri në vitin 2020, ai investitori na ka maltretuar vazhdimisht me premtime të kota. Prej vitit 2020 më nuk kemi, s’kemi domethënë kurrfarë kontakte me investitorin, u zhduk.
Objekti ka mbetur kështu siç po e shihni sot. Më tutje s’di çka të them për të. Investitori ka qenë një Shkëlzen Çerimi, mos gabofsha me emër, e firma çka ka pasur emrin saktësisht nuk e di, se unë jetoj jashtë Kosovës, nuk di më shumë për detaje të tjera.” Të dhënat tregojnë që në këtë rast investitor ka qenë një person me emrin Shkëlzen, me të cilin kontakti ka qenë i pamundur, të paktën deri në publikimin e këtij artikulli.
Heshtja në këtë tragjedi i ka kapluar edhe autoritetet lokale. Nga Komuna e Shtimes kanë zgjedhur të mos paraqiten para kamerës në lidhje me këtë rast. Duke refuzuar paraqitjen, kanë vendosur që të përgjigjen me shkrim. “Objekti në fjalë është pajisur me leje ndërtimore më datë . Megjithatë, ai ende nuk është pajisur me pranim teknik nga Komuna, pasi punimet ndërtimore nuk kanë përfunduar.
Për pasojë, Komuna nuk ka lëshuar leje për shfrytëzim apo banim të objektit. Inspektimet nga Inspektorati i Ndërtimit kryhen në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat në fuqi, përfshirë rastet kur paraqiten kërkesa nga investitori gjatë fazave të ndërtimit. Rasti i datës është duke u hetuar nga Prokuroria kompetente.
Për shkak të hetimeve në zhvillim, Komuna nuk mund të japë vlerësime apo konkluzione që mund të ndikojnë në procedurën hetimore. Pas përfundimit të hetimeve dhe nxjerrjes së një vendimi nga organet kompetente, Komuna do të veprojë në përputhje me gjetjet dhe detyrimet që rrjedhin nga ai vendim.” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.
Derisa Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe Komuna e Shtimes vazhdojnë të arsyetohen se rasti ndodhet në “faza fillestare të hetimeve”, një provë kyçe dhe jetike për zbardhjen e të vërtetës, siç është gilinderi i metalit me të cilin dyshohet se ra viktima, ka vazhduar të qëndrojë në vendin e ngjarjes, duke u ekspozuar ndaj dëmtimeve të mundshme që mund të shkatërrojnë gjurmët forenzike.
Mbi të gjitha, ajo që mbetet më e rënda dhe më alarmantja është se asnjë autoritet nuk ka marrë mundimin të bëjë asnjë paralajmërim zyrtar apo të vendosë shirita bllokues që banorët e tjerë, fëmijët dhe familjet që vazhdojnë të qëndrojnë në këtë objekt, të largohen.
