Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, gjatë ceremonisë së shënimit të 20-vjetorit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), më , ka folur për rëndësinë e llogaridhënies, transparencës dhe përgjegjësisë institucionale si “shtylla kryesore të besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë”. Ajo, me këtë rast, vlerësoi punën dydekadëshe të këtij institucioni.
IPK, s ipas Haxhiut, është ndërtuar me një mision të vështirë, por jetik në një shtet demokratik: garantimin që vetë institucionet e zbatimit të ligjit të mbeten brenda kornizës ligjore.
Siç shkruan Presidenca, Haxhiu ka theksuar se gjatë 20 viteve, Inspektorati Policor i Kosovës ka vepruar me përgjegjësi dhe integritet, duke ndihmuar në rritjen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës. Ajo përmendi edhe rritjen e rasteve të adresuara nga qytetarët drejt IPK-së, duke thënë se kjo është dëshmi e rritjes së besimit publik në këtë institucion.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 IPK është kontaktuar nga 2 mijë 539 qytetarë, rreth 500 më shumë se një vit më parë. “Njëzet vjet të Inspektoratit Policor nuk mund të ndahen nga rrugëtimi ynë si shtet.
Pra, çdo institucion që ne kemi ngritur me përgjegjshmëri, çdo standard që kemi vendosur mbi vetveten, na ka afruar te shteti që gjithmonë e kemi ëndërruar: një shtet ku ligji vlen njësoj për të gjithë.
Pavarësia, transparenca dhe përgjegjshmëria e këtij Inspektorati janë matëse të pjekurisë sonë demokratike dhe pjesë e pandashme e rrugëtimit tonë evropian”- citohet të ketë deklaruar Haxhiu, të enjten, më . Në fjalën e saj, Haxhiu vlerësoi edhe rolin e gjeneratës së parë të këtij institucioni, të cilët sipas saj ndërtuan IPK-në nga themeli, me përkushtim dhe përgjegjësi.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) u themelua në vitin 2006 si një mekanizëm i pavarur i mbikëqyrjes së Policisë me dy funksione kryesore: hetimin e të gjitha ankesave për sjellje të policëve, pa dallim grade apo pozite dhe inspektimi i mënyrës së kryerjes së detyrave nga ana e Policisë në një varg të definuar të funksioneve menaxhuese, në lidhje me saktësinë, efektshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi.
