Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, më , ka pritur në takim drejtoreshën e zgjerimit të BE-së dhe Fqinjësisë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po viziton për herë të parë Kosovën.
Haxhiu ka kërkuar që progresi i Kosovës të marrë përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Sa i përket reformave evropiane, Haxhiu theksoi se Kosova ka mbajtur kurs të qartë dhe se është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe po i zbaton me seriozitet obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes.
U.D presidentja Haxhiu gjatë takimit potencoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal, ku siç tha ajo, “Kosova duhet të trajtohet me të njëjtën mundësi për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët”.
Mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për zhvillimin e vendit, Haxhiu e vlerësoi duke thënë se Kosova e ka kthyer këtë mbështetje në institucione demokratike, në reforma dhe në një orientim të qartë evropian.
Superti e ka filluar vizitën në Kosovë duke hapur Komitetin e 7-të të Stabilizim Asociimit bashkë me Kryenegociatorin e Kosovës me BE-në, njëherësh Koordinatorin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfajn. Ky i fundit shqyrtoi progresin e reformave, mbështetjen e BE-së dhe angazhimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën.
Në kohën kur po pritet formimi i institucioneve të reja, Bashkimi Europian ka rikujtuar se Kosova duhet të krijojë stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së, si dhe nga mundësitë që ofrohen përmes Planit të Rritjes dhe Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA).
Kështu ka shkruar Zyra e BE-së në Kosovës, pas një takimi mes shefes në detyrë të Bashkimit Europian në Kosovë, Eva Palatova me Supertin. Vizita e Supertit po realizohet pikërisht në ditën e afatit të fundit për Agjendën e Reformave.
Siç raportoi Kallxo.com më , dështimi në zbatimin e këtij plani deri më 30 qershor rrezikon t’i kushtojë Kosovës humbjen e dhjetëra milionë eurove nga fondet e Bashkimit Europian për Planin e Rritjes. “Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së, nga Plani i Rritjes dhe IPA”- ka shkruar Zyra e BE-së.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse ekziston mundësia e negocimit për të shmangur humbjen e disa milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së, në rast se reformat nuk përmbyllen deri më .
Përmes një njoftimi Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë të ditur se Valentina Superti do të vijoj bisedimet e Planit të Rritjes edhe me ministrin në detyrë të Financave Hekuran Murati dhe ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë Mimoza Kusari Lila.
