Mesfushori i Senegalit, Pape Gueye, ka kërcënuar se nuk do të luajë më për kombëtaren, pas eliminimit dramatik nga Belgjika në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026. Futbollisti i Villarrealit reagoi menjëherë pas humbjes 3-2, duke publikuar një mesazh në Instagram, ku kritikoi stafin teknik dhe paralajmëroi se do të largohet nga përfaqësuesja nëse nuk do të ketë ndryshime.
“Do të rikthehem për të folur më shumë për këtë eliminim, por që sot po ju njoftoj se, për sa kohë ky staf teknik do të jetë në krye, unë do të bëj një pauzë nga kombëtarja” , shkroi Gueye. Senegali ishte shumë pranë kualifikimit, pasi kryesonte 2-0 falë golave të Habib Diarras dhe Ismaïla Sarr. Megjithatë, gjithçka ndryshoi pasi Gueye u zëvendësua në minutën e 64-t me Lamine Camaran.
Belgjika shënoi dy herë në fundin e kohës së rregullt me Romelu Lukakun dhe Youri Tielemansin, duke e çuar ndeshjen në vazhdime. Në minutën e 125-të, Tielemans realizoi nga penalltia, e akorduar pas ndërhyrjes së VAR-it, duke kompletuar përmbysjen spektakolare 3-2. Pas ndeshjes, trajneri Pape Thiaw u përball me kritika të shumta për zëvendësimet e bëra, por ai mbrojti vendimet e tij.
“Lojtarët ishin të lodhur dhe nuk mund të vazhdonin. Do të ishte joprofesionale t’i lija në fushë. Sigurisht, kur humbet një ndeshje pasi ke qenë në epërsi 2-0, të gjithë flasin për zëvendësimet, por ato u diktuan nga gjendja fizike e futbollistëve dhe jo nga aspekti taktik”, deklaroi Thiaw.
Eliminimi nga Botëror i i shtohet një periudhe të trazuar për kombëtaren senegaleze, ndërsa reagimi i Gueyes pritet të hapë debate të mëdha rreth të ardhmes së stafit teknik. Edhe vetë Thiaw nuk e fshehu zhgënjimin pas eliminimit. “Humbëm një ndeshje shumë të rëndësishme. Donim të kualifikoheshim për popullin senegalez dhe besonim se e meritonim, por për fat të keq u eliminuam.
Jam i trishtuar dhe lojtarët ndihen po ashtu ”, përfundoi ai.
