Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht Agron Kyçyku, i akuzuar për kanosjen e gazetarit të KTV-së, Ardit Kika. Sipas njoftimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), dënimi është shqiptuar me periudhë verifikuese prej një viti. Po ashtu, gjykata ka vendosur si dënim plotësues ndalimin e qasjes së të dënuarit në rrjetet sociale për gjashtë muaj.
I akuzuari thuhet ka pranuar fajësinë për veprën penale “Kanosje” ndaj gazetarit Kika. AGK e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm në përpjekjet për ndëshkimin e sulmeve ndaj gazetarëve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret këtë vendim dhe e sheh atë si shumë të rëndësishëm në betejën për ndëshkimin e sulmeve ndaj gazetarëve”- thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK ka përsëritur gjithashtu thirrjen ndaj institucioneve të drejtësisë që të zbatojnë politika më të ashpra ndëshkimore për rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, pasi, sipas tyre, këto veprime ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e medias në Kosovë.
Gazetari Ardit Kika ishte kërcënuar përmes rrjeteve sociale pas raportimit të tij në KTV lidhur me një fabrikë të rreme të dronëve ushtarakë në Gjilan. Sipas AGK-së, në mesazhin kërcënues të dërguar ndaj gazetarit thuhej se “këta i ndal vetëm likuidimi në emër të popullit…”, duke e akuzuar atë dhe mediat për përhapje të dezinformatave.
“AGK-ja i inkurajon të gjithë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë që t’i raportojnë rastet e kërcënimeve ndaj tyre në Policinë e Kosovës”- shkruan tutje AGK.  
