Gjykata dënon 36 persona për thirrje nacionaliste në “Vidovdan”, nga

0%

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj 36 të pandehurve për thirrje provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes në manifestimin e “Vidovdanit” në Gazimestan, duke i dënuar me gjobë nga 700 euro (secilin) dhe atyre që nuk janë shtetas të Kosovës, dëbim nga territori i Republikës së Kosovës për 3 vite.

Të pandehurit në këtë rast janë: Jovana Andriq, David Ivanoviq, Vladimir Bogiçeviq, Vuk Petroviq, Nemanja Maksimoviq, Aleksa Andriq, Nikola Deniq, Danijel Milutinoviq, Goran Paunoviq, Millosh Gjurgjeviq, Predrag Arsiq, Darko Ashanin, Aleksander Ristiq, Miljan Nashkoviq, Mirko Zhizhiq, Luka Lekiq, Andrija Vuçiq, Krsto Jaksiq, Milun Jankoviq, Radovan Pantiq, Tomislav Rakiq, Darko Radiq, Djordje Saviq, Svetomir Radiq, Vuk Javanoviq, Djordje Pantiq, Strahinja Andriq, Aleksander Petroviq, Stefan Tatar, Zeljko Veriq, Lazan Prodanoviq, Millosh Stevanoviq, Danilo Ljutiq, Sasha Cetkoviq, Nemanja Karanoviq dhe Damjan Otasheviq.

“Të pandehurve, secilit veç e veç u shqipton këtë dënim, ashtu që secili veç e veç gjykohet me dënim me gjobë në shumën prej 700 euro të cilin duhet paguar në afatin prej 15 ditësh”, tha gjyqtarja e rastit, Naime Krasniqi-Jashanica, raporton, “Betimi për Drejtësi” .

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjithashtu, të pandehurve që nuk janë shtetas të Kosovë iu shqiptua edhe masa mbrojtëse- dëbim nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 3 vitesh. Po ashtu, të pandehurit obligohen që secili veç e veç të paguajnë paushallin gjyqësor në emër të shpenzimeve gjyqësore në shumën prej 10 euro.

Gjithashtu, gjykatësja Krasniqi-Jashanica shtoi se kundër këtij vendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 8 ditëve nga koha e pranimit të aktgjykimit. Kurse për një të pandehur i cili është i mitur, është veçuar procedura gjyqësore ndaj tij.

Ndryshe, sipas kërkesës për inicimin e procedurës së kundërvajtjess, më në Kompleksin Memorial të Gazimestanit, me rastin e festës së “Vidovdanit”, morën pjesë 750 pjesëtarë të komunitetit serb dhe në përfundim të manifestimit, një numër pjesëmarrësish filluan të brohorisin parulla nacionaliste konkretisht “Kosovo je Srbija”- në gjuhën serbe, që në shqip do të thotë “Kosova është Serbi”.

Po ashtu, sipas kërkesës thuhet se pjesëmarrësit kanë vazhduar duke i ngritur tre gishtat me duar- simbol ky i cili në rrethanat konkrete u përdor si shprehje e nacionalizmit dhe provokimit.

Tutje, në kërkesë thuhet se për këto veprime që u morën nga tani të pandehurit, u është tërhequr vërejtja nga ana e zyrtarëve policorë se sjellje të tilla bien ndesh me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sqarohet sipas kërkesës se në hyrje të Kompleksit paraprakisht të gjithë pjesëmarrësit ishin pajisur me fletushka njoftuese në tri gjuhë: shipe, serbe dhe angleze, përmes të cilave janë paralajmëruar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe njëkohësisht ju është bërë thirrje që të festojnë në mënyrë të qetë ngase ndalohen thirrjet nacionaliste dhe veprime nxitëse si dhe sjellje arrogante.

Por, gjithnjë sipas kërkesës, pavarësisht këtyre njoftimeve, të pandehurit vazhduan brohoritjet dhe sjellje provokuese ashtu që nuk ju bindën urdhërave të zyrtarëve policor. Me këto veprime, të pandehurit thuhet se kanë kryer veprën e kundërvajtes “Sjellja arrogante” nga neni 4 paragrafi 1, sanksionuar me paragrafin 3 të Ligjit për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike. /BetimipërDrejtësi

Burimi: Telegrafi