Gjashtë nxënës nga Kosova, të shoqëruar nga mentorja Ariana Gerqari, morën pjesë në programin prestigjioz EAGLE 2026 (Excellence in AI and Global Leadership), një program i Byrosë për Çështje Arsimore dhe Kulturore (ECA) të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i zbatuar nga Legacy International.
Përfaqësuesit nga Kosova ishin: -Mat Baruti; -Art Qorraj; -Ardisa Hamiti; -Leart Obertinca; -Rigon Haxhijaj; -Rrita Canolli. Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, nxënësit zhvilluan aktivitete intensive edukative, kulturore dhe të lidershipit në Seattle dhe Washington, D.C.
Ata morën pjesë në trajnime dhe vizita studimore në kompani lider botërorë të teknologjisë si Google, Amazon dhe Microsoft, ku u njohën nga afër me zhvillimet më të fundit në inteligjencën artificiale, inovacion dhe teknologji.
Programi përfshiu gjithashtu vizitën në Byronë për Çështje Arsimore dhe Kulturore (ECA) pranë Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me programet amerikane të shkëmbimit arsimor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e programit ishte edhe qëndrimi pranë familjeve pritëse amerikane, duke u dhënë nxënësve mundësinë të përjetonin nga afër kulturën, jetën e përditshme dhe mikpritjen amerikane, si dhe të krijonin miqësi dhe lidhje që pritet të zgjasin edhe në të ardhmen.
Programi EAGLE 2026 mblodhi së bashku të rinj nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut, me synimin për të zhvilluar aftësitë e tyre në lidership, komunikim, bashkëpunim ndërkombëtar dhe përdorimin e teknologjive bashkëkohore.
Pjesëmarrja e nxënësve nga Kosova në këtë program përfaqëson një arritje të rëndësishme dhe një mundësi të jashtëzakonshme për të përfaqësuar vendin në një program ndërkombëtar të mbështetur nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.
Gjatë programit, aktivitetet e pjesëmarrësve u pasqyruan edhe në kanalet zyrtare të Byrosë për Çështje Arsimore dhe Kulturore (ECA), duke vlerësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe angazhimin e të rinjve në këtë iniciativë.
“Në përfundim, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Departamentin e Shtetit, Byronë për Çështje Arsimore dhe Kulturore (ECA), Legacy International, American Councils Kosova, organizatorët, mentorët, familjet pritëse dhe të gjithë partnerët që bënë të mundur këtë përvojë të jashtëzakonshme për të rinjtë nga Kosova”.
“Besojmë se kjo eksperiencë do të mbetet një kujtim i paharrueshëm dhe një investim i çmuar në rrugëtimin personal, akademik dhe profesional të secilit prej pjesëmarrësve”.
