Gërgi: Vuçiqin e mbron Radoiçiqi nga protestuesit, ka frikë se i

0%

Shpërndaje në: Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka komentuar protestat e vazhdueshme në Serbi të cilat kanë arritur të mbledhin qindra mijëra protestues kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Gërgi në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka deklaruar se arsyeja se pse Vuçiqi po i mban një grup njerëzish përkrahës të tij përballë protestuesve është sepse nuk dëshiron t’i ndodhë sikurse kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, kur protestuesit hynë brenda institucioneve shtetërore dhe e detyruan të dorëhiqet. Sipas Gërgit, Vuçiqi në këtë formë po bëhet i varur nga njerëz kriminalë.

“Në momentin që po zgjaten këto protestat çdo ditë e më shumë po vjen në shprehje një grup joformal rreth Vuçiqit që e mbron atë nga protestuesit. Çka ka ndodhur me Millosheviqin është që protestuesit janë futur në Kuvendin e Serbisë, janë futur në ndërtesën e Presidencës dhe e kanë detyruar të jap dorëheqje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vuçiqi duke e pasur këtë parasysh, ka tentuar ta bllokoj pikërisht këtë duke vendosur një grup njerëzish në atë parkun e Pionerëve. Janë kryesisht kriminelë të rrugës dhe veteranët e luftërave të viteve të 90’-ta. Sa më shumë kohë që kalon aq më shumë Vuçiqi bëhet i varur nga këta”, ka deklaruar Gërgi.

Gërgi ka komentuar edhe deklaratën e Vuçiqit i cili në një konferencë për media tha se Milan Radoiçiq nuk po ndiqet për shkak të krimit por për shkak të Kosovës. Radoiçiq ka marrë përsipër sulmin e Banjskës në Kosovë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Për të është lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). “Serbia është vend mafioz dhe kushdo që vjen në pushtet duhet të bashkëpunoj me këto struktura. Radoiçiqi dhe Veselinoviqi e kanë mbrojtur qysh nga fillimi.

Duke qenë se protestat janë masivizuar shumë, nuk është më i sigurt që shteti mund ta mbroj, prandaj Vuçiqi vjen me këto deklarata. Realisht Vuçiqi është i varur dhe një lloj pengu i Radoiçiqit”, ka deklaruar Gërgi. Zvonko Vesellinoviq është ish-partner biznesi i Millan Radoiçiqit.

Të dy janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara prej më shumë se katër vjetësh, për akuza që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion. Që nga nëntori i vitit 2024, në Serbi janë mbajtur protesta të vazhdueshme të udhëhequra nga studentët.

Demonstratat u nxitën pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor të qytetit verior të Novi-Sadit në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ata po kërkojnë dorëheqjen e presidentit serb, Vuçiq.

Burimi: Koha