GAP: Mbi 3,000 mësimdhënës hiqen nga granti i arsimit për vitin 2026

0%

Shpërndaje në: Mbi tre mijë mësimdhënës në Kosovë nuk do të financohen nga granti i arsimit gjatë vitit 2026, duke krijuar një barrë financiare prej më shumë se 24 milionë eurosh për komunat, ka njoftuar Instituti GAP në raportin e titulluar “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”.

Sipas analizës, Ministria e Financave, duke u bazuar në rekomandimet dhe normat e Ministrisë së Arsimit, ka përcaktuar financimin e pagave të mësimdhënësve sipas numrit aktual të nxënësve dhe raportit nxënës–mësimdhënës. Si rezultat, është evidentuar një mospërputhje e madhe mes numrit të mësimdhënësve të raportuar nga komunat dhe atyre të miratuar për financim.

Për vitin 2026, Ministria e Financave ka larguar nga granti i arsimit gjithsej 3,101 mësimdhënës. “Për 25 komunat e trajtuara në këtë analizë, komunat kanë paraqitur 27,282 mësimdhënës për vitin 2026, ndërsa janë aprovuar 24,200. Si rezultat, 3,082 mësimdhënës, apo rreth 11.3% e numrit të paraqitur, kanë mbetur jashtë financimit të grantit”, thuhet në gjetje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Instituti GAP paralajmëron se komunat tashmë përballen me dy alternativa: të harmonizojnë numrin e mësimdhënësve me normativat e Ministrisë së Arsimit ose të vazhdojnë t’i mbajnë në punë mësimdhënësit shtesë duke i paguar nga buxhetet komunale ose nga granti i përgjithshëm.

Në aspektin financiar, presioni më i madh bie mbi Komunën e Gjilanit, e cila pritet të përballet me një kosto prej mbi 2.5 milionë eurosh për pagat e mësimdhënësve mbi normë. Pasojnë Gjakova me mbi 2.3 milionë euro, si dhe Peja, Malisheva, Podujeva, Rahoveci, Suhareka, Skenderaj dhe Mitrovica.

Burimi: Koha