Pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit, në LDK janë intensifikuar zërat që kërkojnë ndryshime në udhëheqjen e partisë. Sipas burimeve brenda LDK-së, ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, ku pritet të diskutohet edhe çështja e besimit ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku. Burimet thonë se iniciativa është ndërmarrë nga Gazmend Muhaxheri.
Analisti politik, Vesel Makolli, ka vlerësuar se situata në LDK kërkon reflektim serioz politik, duke theksuar se tri humbjet radhazi në zgjedhje janë dëshmi e humbjes së besimit të qytetarëve. Sipas tij, pakënaqësia brenda partisë është bërë realitet politik, ndërsa zërat që kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim po shtohen çdo ditë në degët dhe strukturat e LDK-së.
“ Situata në LDK kërkon një analizë të qetë politike. Rezultatet zgjedhore nuk janë vetëm shifra; ato janë verdikti i qytetarëve. Kur nji parti eminente në historinë politike të Kosovës siç është LDK, nuk arrin me e rikthye besimin e elektoratit në tri palë zgjedhje radhazi, përgjegjësia politike nuk mund të relativizohet – duhet të vijë sa më parë.
LDK-ja po kalon njanën prej periudhave ma të vështira në historinë e saj. Pakënaqësia e anëtarësisë nuk është më çështje perceptimi, por realitet politik. Zani që kërkon përgjegjësi dhe ndryshim po dëgjohet çdo ditë e ma shumë në degë, në nëndegë dhe në mesin e veprimtarëve të saj”, tha ai.
Makolli e cilëson rikthimin e Vjosa Osmanit dhe vendosjen e saj në krye të listës zgjedhore të LDK-së si një nga gabimet më të mëdha të kryetarit Lumir Abdixhiku, duke thënë se ky veprim ka shkaktuar pakënaqësi të thellë brenda partisë.
Ai shton se LDK-ja duhet të rikthejë unitetin e brendshëm dhe të rehabilitojë figurat që, sipas tij, u lanë jashtë strukturave të partisë për shkak të qëndrimeve të tyre kundër Vjosa Osmanit, duke përmendur si shembull ish-kryetarin e Degës së Podujevës, Agim Veliu.
“Kthimi i Vjosa Osmanit, e cila me veprimet e saj politike e kishte dëmtuar ndjeshëm partinë, dhe vendosja e saj në krye të listës zgjedhore të LDK-së – është gabimi më i madh që ka mundur ta bëjë Kryetari Abdixhiku. Ky veprim ka krijuar pakënaqësi dhe kundërshti si në mesin e kuadrove të partisë, ashtu edhe te anëtarësia në përgjithësi.
Situatën e ka elektrizue edhe qëndrimi i Abdixhikut karshi dy inicuesve të shkarkimit të tij, gjegjësisht dy kryetarëve të dy komunave të suksesshme, Pejës dhe Lipjanit. Në vend që kërkesa e tyre të trajtohej si një sinjal serioz i pakënaqësisë brenda partisë dhe si një mundësi për reflektim, reagimi i kryetarit ka lanë përshtypjen e një përballjeje me zërat kritikë.
Kjo vetëm sa e ka thellue ndarjen ndërmjet lidershipit dhe një pjese të anëtarësisë, duke e rënduar edhe ma shumë klimën e brendshme në LDK. LDK-ja, si parti e djathtë dhe me traditën më të madhe institucionale, ka nevojë për një homogjenitet të brendshëm, i cili duhet të arrihet me vepra e jo vetëm me fjalë.
Ai arrihet kur u hapet dera dhe rehabilitohen të gjithë atyre që e kundërshtuan Vjosa Osmanin në kohën kur ajo i ndihmoi VV-së në bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kërkuara nga aleatët tanë dhe NATO; të cilët më pas, në mënyra të ndryshme dhe përmes insinuatave, u larguan apo u anashkaluan nga degët ose nga kryesia qendrore e LDK-së dhe nga lista zgjedhore.
Si shembull eklatant është ish kryetari i degës së Podujevës Agim Veliu, fitues bindës i të gjitha zgjedhjeve komunale dhe nji ndër ata anëtarë të LDK-ës që kanë plagë të plumbave në trup ”, shprehet Makolli për “Bota sot”.
Në përfundim, Makolli thotë se, nëse raportimet për mbledhjen e 200 nënshkrimeve rezultojnë të sakta, dorëheqja e Lumir Abdixhikut do të ishte zgjidhja më e mirë për LDK-në. Sipas tij, kjo do t’i hapte rrugë reformave, një gare demokratike për drejtimin e partisë dhe uljes së tensioneve të brendshme.
“Mbrëmë u raportua se të pakënaqurit brenda LDK-së i kanë mbledhë 200 nënshkrime, nga gjithsej 355 anëtarë sa i ka Kuvendi i partisë, që do të thotë rreth 57% të përbërjes së tij. Sipas informatave që po qarkullojnë, mbledhja e nënshkrimeve po vazhdon dhe numri i atyne që i përkrahin ndryshimet e nevojshme në udhëheqjen e partisë po vjen duke u rritë.
Nëse këto informata rezultojnë të sakta, zgjidhja ma e mirë, si për të ardhmen e LDK-së, ashtu edhe për vetë kryetarin Lumir Abdixhiku, do të ishte që ai sa ma parë të hapte rrugë për reforma të mirëfillta në parti.
Një dorëheqje e tij do t’i krijonte mundësi organeve të LDK-së që, në përputhje me Statutin, ta caktojnë një kryetar të përkohshëm, i cili do ta udhëhiqte partinë deri në mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor.
Një veprim i tillë do të ndihmonte në uljen e tensioneve të brendshme, do të krijonte kushte për një garë demokratike e të barabartë për udhëheqjen e partisë dhe do t’i jepte LDK-së mundësinë të dalë nga kjo krizë më e bashkuar dhe me e përgatitur për sfidat politike që e presin partinë dhe në veçanti Kosovën” – përfundon ai për gazetën.
