Eliminimi nuk ua zbehu buzëqeshjen dhe as krenarinë futbollistëve të Kepit të Gjelbër. Pas paraqitjes historike ndaj Argjentinës, ku u mposhtën vetëm 3-2 pas vazhdimeve në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës 2026, “Peshkaqenët Blu” e bënë edhe më të veçantë mbrëmjen që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tyre.
Pas përfundimit të takimit, disa futbollistë të Kepit të Gjelbër e pritën Lionel Messin në zonën miks, derisa kapiteni i Argjentinës t’i përfundonte intervistat me gazetarët. Më pas, njëri pas tjetrit, ata u fotografuan me tetë herë fituesin e Topit të Artë, duke e ruajtur një kujtim të paharrueshëm me njëri prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.
Një moment që e pasqyroi në mënyrë perfekte frymën sportive dhe respektin që kombëtarja e Kepit të Gjelbër e fitoi gjatë këtij Botërori. Një Botëror historik Kepi i Gjelbër largohet nga turneu me kokën lart, pasi mori pjesë për herë të parë në historinë e tij në një Kupë Bote.
Në fazën e grupeve mbeti i pamposhtur, duke barazuar 0-0 me Spanjën, 2-2 me Uruguain dhe 0-0 me Arabinë Saudite, ndërsa më pas i shkaktoi shumë vështirësi Argjentinës në ndeshjen e fazës me eliminim direkt. Edhe pse aventura përfundoi, rrugëtimi i Kepit të Gjelbër do të mbetet një nga historitë më të bukura dhe më frymëzuese të Kupës së Botës 2026..
