Fushata e marrëdhënieve me publikun që e bindi Amerikën për pavarësinë

0%

Rebelët ndërtuan një makineri të përsosur komunikimi të shekullit XVIII. Nga: Tommy Behnke / The Washington Times Përkthimi: Telegrafi.com Ky Katër Korrik përkujton 250-vjetorin e pavarësisë amerikane, por shënon gjithashtu fundin e fushatës më të suksesshme të marrëdhënieve me publikun të të gjitha kohërave.

Në vitet që i paraprinë Revolucionit Amerikan, shumica e kolonistëve mbetën neutralë ose besnikë ndaj Britanisë. Udhëheqësit e parë të rezistencës synuan ta ndryshonin këtë. Siç u shpreh [karakteri] Don Drejpër në [serialin] Njeriu i çmendur [ Mad Men ]: “Nëse nuk të pëlqen ajo që po thuhet, atëherë ndrysho bisedën.” Pikërisht këtë bënë ata.

Merrni si shembull Festën e Çajit në Boston [Boston Tea Party] dhe bojkotin më të gjerë të çajit britanik. Shumë kolonistë, fillimisht, nuk i bënë rezistencë Ligjit të Çajit, sepse, në mënyrë paradoksale, ai e bënte pijen e tyre të preferuar më të lirë se shumica e alternativave konkurruese – edhe pse taksa mbi çajin mbetej në fuqi, duke ulur kostot e shpërndarjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Njëri prej Etërve Themelues, Benjamin Rush, shkroi në atë kohë: “Nëse ai zbarkohet, duhet pasur frikë se do ta gjejë rrugën drejt nesh. Atëherë, lamtumirë Liri Amerikane.”

Lexo po ashtu: – Jeffersoni ndryshoi rrjedhën e historisë – Ky 250-vjetor i Amerikës është një mundësi e përkryer për t’u thelluar në historinë tonë të vërtetë Prandaj, udhëheqësit kundërshtues në Bijtë e Lirisë [Sons of Liberty], një organizatë komunitare, organizuan një bojkot të çajit.

Teatri i marrëdhënieve me publikun që grupi organizoi, gjatë të cilit pjesëmarrësit u maskuan dhe hodhën në det 342 arka çaji, synonte të pengonte që importet britanike të arrinin në vitrinat e dyqaneve dhe në stomakët e kolonistëve. Megjithëse kundërshtimi i çajit ishte qëndrimi i pakicës në atë kohë, gazetat koloniale i kushtuan një mbulim të gjerë Festës së Çajit në Boston.

Historia pothuajse shkruhej vetë. Një fushatë e çështjeve publike me një efekt të tillë do t’i kushtonte miliona dollarë sot një kompanie të renditur në [listën] Fortune 500 . Megjithatë, vetëm organizimi komunitar nuk mjaftonte. Forcat anti-britanike zotëruan gjithashtu taktikën kyçe të marrëdhënieve me publikun përmes ndërtimit të koalicioneve.

Idealistët filozofikë punuan krah për krah me tregtarët dhe kontrabandistët e çajit, si John Hancock – një nga kolonistët më të pasur, i cili ndihmoi në financimin e përpjekjeve të tyre. Pavarësisht motiveve të tyre të ndryshme, së bashku ata ndërtuan një koalicion me mbështetjen financiare dhe fuqinë e nevojshme organizative për të pasur ndikim të matshëm në opinionin publik.

Për ta maksimizuar shtrirjen e mesazhit të tyre, kauza e rebelëve ndërtoi një makineri komunikimi të shekullit XVIII. Përmes lajmëtarëve me kuaj, të cilët shpërndanin përditësime lajmesh, pamflete dhe editoriale, Komiteti i Korrespondencës [Committees of Correspondence] që ata krijuan – i cili në mënyrë efektive funksiononte si shërbim lokal i lajmeve – përhapën narrativat e tyre nëpër koloni.

Ngadalë, por me siguri, rebelët e shndërruan një kauzë të pakicës në një kauzë të përbashkët. Bashkësi të largëta filluan të diskutonin të njëjtat çështje në të njëjtën mënyrë dhe uniteti zinte vend gjithnjë e më shumë.

Për të përmendur vetëm një shembull, kundërshtarët përdorën infrastrukturën e tyre të marrëdhënieve me publikun për t’i riemërtuar Ligjet Ndëshkuese [Coercive Acts] të Parlamentit – ligje të hartuara për ta ndëshkuar Bostonin dhe vetëm Bostonin për shkatërrimin e çajit – si një paralajmërim për të gjithë kolonët amerikanë.

Komiteti i Korrespondencës i Bostonit argumentoi se masa ndëshkuese, si ato të përfshira në Ligjet Ndëshkuese, mund të shtriheshin lehtësisht edhe në qytete dhe koloni të tjera, duke deklaruar se “tani, pra, është koha kur të gjithë duhet të jenë të bashkuar në kundërshtimin e kësaj shkeljeje të lirive të të gjithëve.” Ky formulim i “kauzës së përbashkët” u përhap shpejt e gjerësisht, nga Qarku Ferfaks deri në Filadelfia, duke kulmuar me dërgimin e delegatëve nga 12 prej 13 Kolonive në Kongresin e Parë Kontinental për të bashkërenduar reagimin.

Pastaj, në vitin 1776, Thomas Paine dha goditjen vendimtare. Arsyeja e shëndoshë [ Common Sense ], pamfleti i tij prej 47 faqesh, që paraqiste arsyet për të luftuar për pavarësinë, u bë viral. Megjithëse historianët debatojnë për numrin e saktë të kopjeve të shitura, Instituti Smithsonian thotë se 20 përqind e popullsisë koloniale zotëronte një kopje.

Ai shërbeu si një nga katalizatorët e fundit që e shndërroi kundërshtimin ndaj Britanisë në qëndrimin mbizotërues. Duke kujtuar se si organizatorët e lëvizjes revolucionare arritën, në fund, t’i bashkonin 13 kolonitë, John Adamsi u mahnit nga “realizimi i plotë i kësaj në një kohë kaq të shkurtër dhe me mjete kaq të thjeshta … ndoshta një shembull i rrallë në historinë e njerëzimit.” Ai vazhdoi: “Trembëdhjetë orë u kurdisën që të cingërojnë së bashku; një përsosmëri mekanizmi të cilin asnjë mjeshtër nuk e kishte arritur më parë.” Fitorja ushtarake në Jorktaun tronditi shumë njerëz, por arritja më befasuese dhe më mbresëlënëse mund të ketë qenë bindja e shumicës së 2.5 milionë kolonëve amerikanë që të përqafonin një qëndrim, të cilin shumë prej tyre fillimisht e kundërshtonin ose e shpërfillnin.

Për ta cituar sërish Adamsin: “Revolucioni u krye përpara se të fillonte lufta.” Dyqind e pesëdhjetë vjet më vonë, shumica e amerikanëve do ta shënojnë këtë ditë me fishekzjarrë dhe hot-dog.

Megjithatë, diku, dyshoj se Don Drejpëri do të ngrejë në heshtje një koktej [Canadian Club Old Fashioned] për fushatën e pakrahasueshme të bindjes që e bëri të mundur gjithë këtë – një fushatë, mësimet e së cilës për narrativën, ndërtimin e koalicioneve dhe komunikimin strategjik vazhdojnë ta formësojnë botën tonë edhe sot.

Burimi: Telegrafi