FSHF organizon “Open Stage” në New York, 130 talente shqiptare nga SHBA dhe Kanada marrin pjesë në seleksionim

0%

Federata e Futbollit vijon punën konkrete për identifikimin dhe afrimin e talenteve shqiptare që jetojnë dhe zhvillojnë karrierën e tyre jashtë vendit.

Në këtë kuadër, më 27 qershor u zhvillua aktiviteti “Open Stage” në kompleksin sportiv “Hudson Sports Complex” në New York, me pjesëmarrjen e rreth 130 futbollistëve dhe futbollisteve shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.

Seleksionimet u drejtuan nga ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, së bashku me përfaqësues të Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në këtë aktivitet morën pjesë 121 djem dhe 9 vajza të datëlindjeve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, të cilët patën mundësinë të shfaqnin cilësitë e tyre teknike dhe potencialin për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave në të ardhmen.

Lojtarët e testuar vinin nga shtete të ndryshme të SHBA-së dhe Kanada-së, duke konfirmuar edhe një herë praninë e gjerë të komunitetit shqiptar dhe potencialin e madh që ekziston në diasporë. Një nga aspektet më pozitive të këtij aktiviteti ishte numri i konsiderueshëm i futbollistëve të grupmoshave më të reja.

Kjo tregon se në vitet e ardhshme baza e talenteve shqiptare në Amerikën e Veriut pritet të zgjerohet edhe më tej, duke krijuar mundësi të reja për ekipet kombëtare shqiptare.

FSHF mbetet e angazhuar për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me komunitetet shqiptare në mbarë botën, duke ndjekur nga afër zhvillimin e talenteve dhe duke u ofruar atyre mundësinë për t’u bërë pjesë e familjes kuqezi.

Burimi: Bota Sot