Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka deklaruar të mërkurën () se Grenlanda “nuk është në shitje” pas komenteve të përsëritura nga presidenti amerikan, Donald Trump, që sugjeronin se territori i Arktikut duhet të kontrollohet nga Uashingtoni dhe jo nga Kopenhaga, raporton Euronews .
Frederiksen, duke folur me gazetarët përpara samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në Turqi, ka deklaruar se beson që qëndrimi i SHBA-së është bërë gjithnjë e më i qartë. “E dëgjova presidentin e SHBA-së dje dhe mendoj se qëndrimi i SHBA-së është fatkeqësisht shumë i qartë për këtë temë.
Pozicioni ynë është po aq i qartë sa ka qenë gjatë gjithë kohës: Grenlanda, sigurisht, nuk është në shitje”, ka ngulmuar ajo. Vërejtjet nënvizojnë mosmarrëveshjen e vazhdueshme ndërmjet Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara mbi të ardhmen e Grenlandës.
Frederiksen ka theksuar se Danimarka dhe Grenlanda presin që aleatët e tyre ta respektojnë të ardhmen e ishullit, duke shtuar: “Shpresojmë që të gjithë, përfshirë të gjithë aleatët, do të respektojnë të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje”.
Ajo gjithashtu ka spikatur sovranitetin e Danimarkës, duke thënë: “Ne jemi shtete sovrane dhe kemi nevojë që të gjithë të respektojnë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin tonë”.
Frederiksen ka shtuar se Danimarka është “e gatshme të mbrojë çdo centimetër të NATO-s, përfshirë territorin tonë” dhe se pret që anëtarët e tjerë të aleancës të respektojnë zotimet e tyre kolektive të mbrojtjes. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
