Në një pyetje drejtuar të Ngarkuares me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, nga kjo ambasadë kanë kërkuar formimin e institucioneve të Kosovës duke punuar në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të punojë së bashku për të formuar institucione në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Tutje, thuhet se qytetarët presin që të punohet në interesin më të mirë të vendit.
“Populli i Kosovës pret që udhëheqësit e tyre të përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thotë zëdhënësi. Poashtu, thuhet se bllokimi politik po i humbë mundësi Kosovës. “Ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën.
Është koha që udhëheqja të përparësojë progresin dhe stabilitetin në dobi të të gjithë qytetarëve”, vlerësojnë nga ambasada amerikane.
