K.R.U. “Gjakova” ka njoftuar se ka denoncuar fermerin Tafë Çeku, pasi publikoi një video duke derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit përfundojnë në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit. Sipas ujësjellësit, veprimi ka detyruar ndërprerjen e përkohshme të mbushjes së liqenit me ujë, deri në përfundimin e vlerësimeve teknike, për të garantuar sigurinë e ujit të pijshëm.
K.R.U. “Gjakova” ka paralajmëruar gjithashtu se ndaj fermerit do të iniciohet edhe procedurë gjyqësore. Fermeri e ndërmori këtë veprim në shenjë proteste, duke pretenduar se mbeti pa mundësi ta dorëzonte qumështin pas mbylljes së qumështores Vita, e cila grumbullonte prodhimin e tij. Statusi i plote: K.R.U. “Gjakova”
Sh.A. njofton opinionin publik se një person i quajtur Tafë Çeku ka publikuar video dhe fotografi në rrjetin social Facebook, ku shihet duke derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit derdhen në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit. Sipas ekspertëve të K.R.U. “Gjakova” Sh.A., qumështi paraqet një ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor.
Shkencërisht, ai nxit shumimin e baktereve, rrit turbullirën e ujit dhe konsumin e oksigjenit, shton kërkesën për klor gjatë procesit të dezinfektimit dhe mund të favorizojë formimin e trihalometaneve (THM).
Për të garantuar sigurinë e ujit të pijshëm dhe në përputhje me procedurat teknike, jemi të detyruar të ndërpresim për disa orë mbushjen e Liqenit të Radoniqit me ujë nga kanali, deri në përfundimin e vlerësimeve dhe masave të nevojshme nga ekipet tona profesionale. Lidhur me këtë rast, K.R.U. “Gjakova”
Sh.A. ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme sipas kompetencave ligjore. Po ashtu, ndaj personit në fjalë do të iniciohet padi dhe procedurë gjyqësore gjatë ditës së hënë.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që çdo pakënaqësi apo shqetësim ta shprehin përmes rrugëve ligjore dhe institucionale, duke mos ndërmarrë veprime që rrezikojnë burimet e ujit të pijshëm. Çdo ndotje ose dëmtim i burimeve ujore cenon interesin publik, duke pasur parasysh se nga Liqeni i Radoniqit furnizohen me ujë të pijshëm mbi 200 mijë banorë. K.R.U. “Gjakova”
Sh.A. mbetet e përkushtuar për të garantuar furnizim të sigurt dhe cilësor me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët e saj.
