Komisioni Europian po përgatit propozime për të reformuar procesin e zgjerimit të BE-së në një përpjekje për ta ritheksuar rolin e tij në debatin që është formësuar gjithnjë e më shumë nga shtetet anëtare, kanë thënë tre zyrtarë të BE-së për televizionin Euronewsin , që ka raportuar të hënën () në një shkrim ekskluziv.
Zgjerimi i BE-së është ngritur në krye të agjendës, ndërsa Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit për anëtarësim në bllokun europian. Shtetet anëtare javëve të fundit kanë avancuar një mori dokumentesh pozicionimi që paraqesin ide sesi të reformohet procesi i pranimit.
Pesë nga gjashtë anëtarët themelues të BE-së kanë propozuar forcimin e masave mbrojtëse ekzistuese për parandalimin e ngecjes demokratike dhe shkeljet e sundimit të ligjit – mësime të nxjerra nga Hungaria e Viktor Orbanit.
Gjermania dhe Franca kanë paraqitur ide për integrimin gradual të vendeve kandidate, duke u lejuar të porsapranuarve të shohin përfitimet e hershme të pranimit në BE para se të arrijnë anëtarësimin e plotë. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka propozuar më parë krijimin e statusit të “anëtarësimit të asociuar” për rritjen e garancive të sigurisë për Ukrainën.
Tani vendet e BE-së po përgatiten për një debat strategjik mbi reformimin e procesit të pranimit në samitin e ardhshëm të udhëheqësve të BE-së në tetor, pas turneu të presidenti të Këshillit Europian, Antonio Costa, në 27 kryeqytete.
Përpara samitit, Komisioni po planifikon propozime që do ta ndihmonin të rimerrte iniciativën – ose të paktën të shmangte humbjen e kontrollit të plotë të diskutimit. “Pamë kontribute mbi këtë temë nga disa shtete anëtare. Komisioni po punon njashtu për këtë çështje.
Ne mezi presim diskutimin e ardhshëm strategjik mbi zgjerimin dhe reformat në takimin e Komisionit Europian të BE-së në tetor të këtij viti”, ka deklaruar zëdhënës i Komisionit për Euronewsin. Plane më të gjera reformash Shkalla e veprimit të propozimeve ende po diskutohet në nivelin më të lartë politik brenda ekzekutivit të BE-së.
Që nga fillimi i vitit të kaluar, Komisioni duhej t’i paraqiste rishikimet e politikave të tij para zgjerimit – një propozim se si do të funksiononte një BE me 30 ose më shumë anëtarë në aspektin e buxhetit, vendimmarrjes dhe funksionimit të brendshëm.
Megjithatë, rivlerësimet u lanë në heshtje pasi kërkesa e pranimit të Ukrainës e ndërlikoi ndjeshëm pasqyrimin, dhe veprimi mbetet veçanërisht i ndjeshëm në mesin e kryeqyteteve europiane, pasi ndikon në shpërndarjen e pushtetit dhe parave brenda bllokut.
“Kur bëhet fjalë për rishikimet e politikave para zgjerimit, mund të shtojmë se po punojmë me zell për ta finalizuar komunikimin sa më shpejt të jetë e mundshme, me qëllimin përfundimtar për të siguruar cilësinë e tij më të lartë”, ka deklaruar përfaqësuesi i Komisionit Europian.
Ndërsa debati mbi reformimin e procesit të zgjerimit të BE-së po merr vrull, mbetet e paqartë sesa oreks ka për një diskutim kaq të gjerë, i cili pashmangshmërisht do të kërkonte ndryshime në traktat.
Koha është veçanërisht e ndjeshme para zgjedhjeve kritike presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, të cilat mund të sjellin garë të ngushtë me kandidatin e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar (RN).
Jordan Bardella i RN-së, kandidati kryesor për t’i fituar zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, në disa intervista televizive të fundit ka kundërshtuar kategorikisht pranimin e Ukrainës në BE.
Por, ndërsa një reformë më e thellë e procesit të pranimit mund të bëhet herët a vonë – veçanërisht për të mbajtur vende të tilla si Ukraina të motivuara për të zbatuar reforma të brendshme, ndërsa shohin disa përfitime të hershme të anëtarësimit në BE – diskutimi mbi garanci më të forta për anëtarët e rinj është tashmë në proces.
Përmirësimi i masave mbrojtëse Propozimet e Komisionit synojnë të paktën të çojnë përpara diskutimin mbi masat mbrojtëse të hartuara për të parandaluar ngecjen e demokracisë nga shtetet e reja anëtare sapo të përfundojë procesi i pranimit. “Po reflektojmë sesi mund të hartohen masa mbrojtëse brenda traktateve të ardhshme të pranimit.
Objektivi është i thjeshtë: të sigurohet që angazhimet e marra gjatë negociatave, veçanërisht ato të lidhura me ‘themelet’, të mbahen edhe pas pranimit”, ka shtuar zëdhënësi i Komisionit Europian. Qëllimi është të shmanget barra e diskutimit që bie mbi Malin e Zi, kandidatin kryesor për t’u bërë anëtari i 28-të i bllokut.
Ndërsa hartimi i traktatit të pranimit të Malit të Zi ka nisur disa javë më parë, vendi rrezikon të bëhet terren testimi për atë sesi do të duken pranimet e ardhshme. “Nëse e bëni këtë me Malin e Zi, mund të duket sikur po ndëshkohen sepse performuan mirë”, ka thënë për Euronewsin një zyrtar i BE-së me njohuri të drejtpërdrejta mbi këtë çështje.
“Barra nuk mund të bjerë e gjitha mbi Malin e Zi; duhet të jetë një proces i drejtë”. Mbetet pyetje e hapur sesi shtetet e tjera anëtare do ta presin lëvizjen e Komisionit. Disa kryeqytete mund ta mirëpresin Komisionin që të rimarrë iniciativën; Të tjera mund ta shohin si kapje pushteti për ta rifituar kontrollin e diskutimit. “Ka shumë ide që qarkullojnë, por janë vetëm ide.
Disa janë madje të paqarta. Nuk ka konsensus”, ka thënë një zyrtar i dytë i BE-së me njohuri të drejtpërdrejta të diskutimeve. Bazuar në përvojë Masat mbrojtëse nuk janë të reja në procesin e zgjerimit të BE-së. Dhe derisa momentumi politik për reformën u krijua pasi Orbani u rrëzua nga pushteti në prill, Komisioni tashmë kishte sinjalizuar qëllimin për vendosjen e siguresave më të forta.
“Traktatet e ardhshme të anëtarësimit do të duhet të përmbajnë masa mbrojtëse më të forta kundër kthimit prapa në angazhimet e marra në negociatat e anëtarësimit, si dhe kërkesa që shtetet e reja anëtare të vazhdojnë të mbrojnë dhe ta bëjnë të pakthyeshme databazën e tyre në sundimin e ligjit”, ka shkruar Komisioni në rishikimin e tij vjetor të vitit 2025 të procesit të zgjerimit.
Gjatë hartimit të masave mbrojtëse më të forta, Brukseli do të shqyrtojë natyrshëm përvojat e kaluara, duke filluar me traktatin e pranimit të Kroacisë, anëtares më të re të bllokut, që u anëtarësua më 2013.
Kur Zagrebi u anëtarësua, një mekanizëm i ri monitorimi kërkonte që Komisioni Europian të “monitoronte nga afër të gjitha angazhimet e ndërmarra nga Kroacia në negociatat e pranimit, duke përfshirë ato që duhet të arrihen para ose deri në datën e pranimit”.
Mekanizmi u përqendrua në drejtësi dhe të drejtat themelore, sidomos në pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, mbrojtjen e pakicave dhe çështjet që lidhen me refugjatët.
Traktatet e mëparshme të pranimit tashmë përfshinin masa mbrojtëse që mbulonin çështje serioze ekonomike, shkelje të funksionimit të tregut të brendshëm dhe mangësi në zbatimin e legjislacionit të drejtësisë dhe punëve të brendshme, të zbatueshme për tre vjet pas pranimit.
Ide të reja Pesë anëtarët themelues kanë bërë thirrje për të shkuar shumë më larg, duke propozuar dënime të shpejta për shkelje të mundshme ligjore, përfshirë pezullimin e fondeve të BE-së dhe madje edhe të drejtat e votës në procesin e vendimmarrjes institucionale.
Propozime të tilla po hasin rezistencë të konsiderueshme, pasi disa kryeqytete argumentojnë se rrezikojnë të shkelin parimin thelbësor të barazisë midis shteteve anëtare të BE-së, dhe se kjo formë e kushtëzimit mund të shihet si rihapje e traktatit të pranimit.
Në të kundërt, masa të tjera të lidhura ngushtë me mbrojtjet, por më pak të diskutueshme midis qeverive europiane, përfshijnë zgjatjen e mundshme të periudhave kalimtare – përjashtime të kufizuara nga zbatimi i plotë i ligjit të BE-së.
Një nga marrëveshjet më të rëndësishme kalimtare që ka të ngjarë të zgjatet, për shembull, lidhet me aftësinë e vendeve të tjera të BE-së për të kufizuar përkohësisht qasjen në tregun e punës për punëtorët nga shtetet e reja anëtare. Njëherësh, çdo paralajmërim i përkohshëm i përfshirë në traktatin e pranimit pashmangshmërisht nuk do të bazohet në meritë.
Kritere të qarta mbi atë që do të thoshte ngecja demokratike dhe një mekanizëm për ta vlerësuar objektivisht do të kërkoheshin gjithashtu për shmangien e politizimit të procesit. Një ide tjetër në tryezë është që për shtetet e reja anëtare të bëhet e detyrueshme pjesëmarrja në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO).
Aktualisht, 24 nga 27 shtetet anëtare janë pjesë e EPPO-së, por Irlanda dhe Hungaria kanë shprehur tashmë interes për anëtarëism. “Përmirësimi i masave mbrojtëse mund të lehtësojë shqetësimet e vendeve që tradicionalisht kanë qenë skeptike ndaj zgjerimit”, ka theksuar për Euronewsin Florian Bieber, koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave për Ballkanin në Europë.
“Rezultati mund të jetë mundësia e rritjes së gjasave të ratifikimit”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
