Një aksion i Policisë së Kosovës, i realizuar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka përfunduar me sekuestrimin e një arme zjarri dhe municionit në një shtëpi në fshatin Uglar, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 12 korrik, hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve në Gjilan kanë ekzekutuar një urdhër kontrolli në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të Jeton Rexhepit rreth 33 vjeç, i dyshuar për armëmbajtje pa leje.
Gjatë bastisjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, si dhe gjashtë fishekë të kalibrit 12 GA, të cilat janë marrë si prova materiale. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se 33-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij do të procedohet kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjilan për veprën penale “ Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve ”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
