E ardhmja e Lara Gut-Behrami mbetet ende e paqartë. Skiatorja zvicerane vazhdon rehabilitimin pas dëmtimit të rëndë që pësoi në nëntor dhe ende nuk ka vendosur nëse do të rikthehet për një tjetër sezon në Kupën e Botës. Sezoni i fundit për Gut-Behramin përfundoi para se të niste siç duhet.
Në fund të nëntorit, gjatë stërvitjeve në Copper Mountain të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo u rrëzua rëndë, duke pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar, dëmtim të ligamentit të brendshëm dhe të meniskut në gjurin e majtë. Që atëherë, në Zvicër vazhdon të diskutohet nëse kampionia do të rikthehet edhe një herë në garat e Kupës së Botës.
Fillimisht, ajo kishte planifikuar t’i jepte fund karrierës pas pjesëmarrjes së saj të katërt në Lojërat Olimpike, por dëmtimi ka ndryshuar planet dhe deri tani nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Edhe në paraqitjen e saj të parë publike pas lëndimit, në fillim të muajit maj, Gut-Behrami kishte deklaruar: “Nuk e di vërtet nëse garën time të fundit e kam zhvilluar tashmë apo jo”.
Tashmë një përditësim ka ardhur nga drejtues i garave i pajisjeve të skive Head, Rainer Salzgeber. Në një intervistë për gazetën austriake ‘Krone’, ai zbuloi se kishte biseduar së fundmi me skiatoren zvicerane. “Ajo ndodhet në fazën përfundimtare të rehabilitimit.
Dëshiron të rikthehet në pistë në fund të korrikut dhe më pas do të vendosë se si do të vazhdojë karriera e saj”, tha Salzgeber. Kjo do të thotë se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nëse 35-vjeçarja, e cila deri tani ka zhvilluar 395 gara në Kupën e Botës dhe ka regjistruar 48 fitore, do të rikthehet apo do t’i japë fund karrierës.
Megjithatë, llogarisin që ajo do të jetë pjesë e sezonit të ardhshëm. E njëjta gjë vlen edhe për federatën zvicerane të skive, pasi Gut-Behrami vazhdon të figurojë në përbërjen e ekipit kombëtar. Salzgeber shpjegoi edhe arsyen pse as vetë bashkëpunëtorët e saj nuk e dinë se cili do të jetë vendimi përfundimtar. “Ajo vetë nuk e di ende.
Duhet së pari të rikthehet në dëborë dhe të kuptojë nëse gjuri funksionon ashtu siç e dëshiron”. Kështu, tifozët e skive alpine do të duhet të presin edhe pak për të mësuar nëse njëra prej sportisteve më të suksesshme të Zvicrës do të rikthehet edhe për një sezon në pistat e Kupës së Botës.
