Theranda u shndërrua për dy ditë në qendrën e festës, muzikës dhe ngjyrave me organizimin e suksesshëm të edicionit të sivjetmë të Karnavalit “Golden Eagle”, një manifestim që tashmë është kthyer në traditë për qytetin. Festimet nisën me paradën madhështore nëpër rrugët kryesore të qytetit, ku qindra pjesëmarrës të veshur me kostume shumëngjyrëshe krijuan një atmosferë festive.
Nga fëmijët e vegjël e deri te të moshuarit, të gjithë u bënë pjesë e kësaj ngjarjeje, duke e mbushur Therandën me energji dhe entuziazëm. Karnavali Golden Eagle/FaceBook Mbrëmja e parë vijoi me performancat e grupeve pjesëmarrëse, ndërsa atmosfera kulmoi me interpretimet e DJ Vik Kraja, Ghetto Geasy dhe Tayna, të cilët ndezën skenën përpara mijëra të pranishmëve.
Edhe nata e dytë solli një program të pasur artistik. Pas paraqitjeve të grupeve, publiku shijoi performancat e NRG Band, DJ PM dhe DJ DAGZ, Kidës, Mozzikut dhe Alban Skënderajt, të cilët e mbyllën në mënyrë spektakolare këtë edicion të karnavalit.
Karnavali Golden Eagle/FaceBook Pjesë e këtij manifestimi ishin edhe mysafirët specialë Ilir Shaqiri, Enkelejda Arifi, Nikollë Nikprelaj, Selami Kolonja dhe Kastriot Tusha, të cilët i dhanë edhe më shumë vlerë organizimit.
Njëkohësisht, Shaqir Palushi, themeluesi i kompanisë “Frutex”, theksoi se interesimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e diaspora është motiv shtesë që Karnavali “Golden Eagle” të vazhdojë edhe më fuqishëm në vitet e ardhshme, duke mos i zhgënjyer asnjëherë pjesëmarrësit.
Karnavali “Golden Eagle” konfirmoi edhe një herë se mbetet një nga ngjarjet më të mëdha kulturore dhe artistike në Therandë, duke bashkuar qytetarë e vizitorë në një festë që promovon kulturën, muzikën dhe frymën e komunitetit.
