Drama familjare: Çka fshihet pas fotografisë së grupit të NATO-s

0%

Shpërndaje në: Udhëheqësit e NATO-s qëndruan krah për krah për një foto në grup mëngjesin e sotëm para se ta përfundonin samitin dyditor në Ankara. Realiteti në prapaskenë është shumë më i ndërlikuar. Përplasje personale, negociata për arritje marrëveshjesh dhe kërkesa të dëshpëruara për ndihmë shoqëruan samitin e aleancës.

Ndërkohë, në qendër të vëmendjes ishte presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përsëriti kritikat ndaj NATO-s, duke akuzuar aleatët se po përfitonin nga Shtetet e Bashkuara dhe se nuk po silleshin si partnerë të mirë. Por Trumpi nuk ishte personazhi i vetëm kryesor këtë javë.

POLITICO ka bërë një përmbledhje të disa prej personazheve në foton familjare të këtij viti – dhe mospajtimet prapa buzëqeshjeve të tyre: FAKTORI I PAPARASHIKUESHËM – Donald Trump Aleatët u përpoqën të shmangnin zemërimin e Trumpit para samitit të kësaj jave, duke u zotuar të rrisnin shpenzimet për mbrojtje dhe të blinin armë të prodhuara në SHBA.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për ta penguar Trumpin që, sapo mbërriti në Ankara, të niste një seri kritikash të ashpra ndaj NATO-s. Trumpi u tha gazetarëve se ishte “shumë i zhgënjyer me NATO-n”, duke akuzuar aleatët se nuk e vlerësonin rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në aleancë. “Pse po shpenzojmë qindra miliarda dollarë, ndërsa ata nuk janë aty për ne?

Ne kemi qenë gjithmonë aty për ta”, deklaroi ai. Më tej, ai përsëriti ankesat e kahershme ndaj aleancës, duke thënë se vendet anëtare nuk po bënin mjaftueshëm për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Ai kritikoi gjithashtu politikat evropiane për migracionin dhe energjinë, ndërsa riktheu edhe një herë idenë që SHBA-ja të merrte kontrollin mbi Grenlandën, duke rindezur përplasjet me aleatët për të ardhmen e ishullit në Arktik. Samiti dyditor nuk duket se ndikoi në ndryshimin e qëndrimit të tij.

Gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën, Trump deklaroi: “Nuk jam i kënaqur me NATO-n për atë që bëri me Grenlandën dhe nuk jam i kënaqur sepse nuk deshi të na ndihmonte për shtetin sponsorizues numër të terrorizmit, Iranin”.

Më pas ai përmendi Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë si aleatë që, sipas tij, kishin mbetur prapa në përmbushjen e detyrimeve, ndërsa Spanjën e cilësoi si “një rast të humbur” dhe urdhëroi ndërprerjen e tregtisë me të.

Shpërthimi i tij nxori në pah një realitet të ri: marrëdhënia e Washingtonit me NATO-n ka ndryshuar rrënjësisht, ndërsa fuqia më e madhe ushtarake në botë po tërhiqet gradualisht nga aleanca. SHEFI – Mark Rutte Ndërsa Trumpi po ushtron presion mbi vetë themelet e aleancës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po punon pa pushim për ta mbajtur atë të bashkuar. Strategjia e tij?

Të ruajë marrëdhënie sa më të mira me Trumpin. Rutte, i cili është shquar për mënyrën se si di të komunikojë me presidentin amerikan, aq sa në samitin e vitit të kaluar e quajti me shaka “babi”, ka ndërtuar një qasje që deri tani ka rezultuar e suksesshme: ta përqendrojë vëmendjen te financat.

Vitin e kaluar ai fitoi mbështetjen e Trumpit duke premtuar se aleatët do të rrisnin shpenzimet për mbrojtje, ndërsa këtë vit u zotua se vendet anëtare do të investonin më shumë në kompanitë amerikane të mbrojtjes. Pavarësisht kritikave të vazhdueshme të Trumpit ndaj NATO-s, Rutte është i vendosur të përcjellë mesazhin se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i plotë i aleancës.

“Mendoj se presidenti ka të drejtë në disa raste kur shpreh zhgënjim, por kur sheh pamjen e përgjithshme të asaj që po bëjnë evropianët, bëhet fjalë për një angazhim të madh”, tha ai, duke iu referuar rritjes së shpenzimeve për mbrojtje dhe mbështetjes që vendet evropiane i dhanë SHBA-së gjatë fushatës së saj kundër Iranit.

MIKPRITËSI ME MË SË SHUMTI PËR TË FITUAR – Recep Tayyip Erdogan Çdo familje ka fëmijën e saj problematik. Për NATO-n, këtë rol prej kohësh e ka luajtur Turqia, qoftë për shkak të marrëdhënieve të afërta që mban me Moskën dhe Pekinin, qoftë për shkak të historikut të shkeljeve të të drejtave të njeriut (përfshirë një valë të fundit goditjesh ndaj protestuesve).

Por, ndërsa Washingtoni po tërhiqet nga angazhimi i tij në aleancë, vendet anëtare po shqyrtojnë forcimin e lidhjeve ushtarake me Ankaranë, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe pas Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk ishte e vetmja kartë që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kishte në dorë teksa mikpriti samitin e këtij viti, ai është gjithashtu një figurë e preferuar e Trumpit.

Presidenti amerikan tha javën e kaluar se, nëse Erdogani nuk do të ishte nikoqir i samitit, ai mund të mos kishte marrë pjesë fare këtë javë.

Ankaraja pritet ta shfrytëzojë këtë afërsi për të siguruar një marrëveshje që do t’i mundësonte rikthimin në programin amerikan të avionëve luftarakë F-35, nga i cili Trumpi e përjashtoi Turqinë në vitin 2019, pas blerjes nga Ankaraja të sistemeve ruse kundërajrore.

Trump la të kuptohet se një marrëveshje e tillë mund të jetë afër, duke u thënë gazetarëve se “është një vendim që do ta marrim”, ndërsa shtoi se “Turqia, në shumë mënyra, ka qenë shumë më besnike se vendet e tjera që ne mendojmë se do të ishin besnike”.

Megjithatë, edhe nëse liderët turq dhe amerikanë arrijnë një marrëveshje, ajo me shumë gjasë do të përballet me kundërshtime të forta dypartiake në Kongresin amerikan, i cili ka fuqinë ta bllokojë shitjen e avionëve luftarakë. PRISHJA E MIQËSISË – Giorgia Meloni Para se Erdogani ta merrte këtë rol, Giorgia Meloni e Italisë ishte ajo që luante rolin e ndërmjetëses kryesore me Trumpin.

Por kjo marrëdhënie doli nga shinat në fillim të këtij viti, për shkak të mungesës së mbështetjes së Melonit për luftën në Iran. Tensionet u përkeqësuan pas samitit të fundit të G7-s në Francë, kur Trumpi pretendoi se Meloni e kishte lutur për një fotografi me të, një deklaratë që nxiti reagim të ashpër nga ish-aleatja e tij italiane.

“Italia dhe unë nuk lutemi kurrë”, kishte thënë Meloni në atë kohë. Trumpi dukej se e përshkallëzoi përplasjen publike me të para samitit të kësaj jave, duke postuar në rrjetet sociale një “meme” ku thuhej se atij i duhej një urdhër mbrojtjeje ndaj homologes italiane.

Ndërsa aleatët e Melonit dolën në mbrojtje të saj, Roma i minimizoi komentet e Trumpit, duke i cilësuar si të parëndësishme. Kjo qasje duket se i zbuti tensionet, të paktën pjesërisht. “Unë mendoj se ajo është në fakt një person i mirë”, u tha Trumpi gazetarëve të martën, kur u pyet për postimin e tij.

Megjithatë, nuk është harruar gjithçka: “Ajo refuzoi të përfshihej… kështu që kjo e zbehu paksa marrëdhënien time me të”, shtoi ai, duke iu referuar me sa duket refuzimit të Italisë për të ndihmuar në operacionet e Trumpit në Ngushticën e Hormuzit.

DALJA E FUNDIT – Keir Starmer Ky ishte aktiviteti i fundit i madh ndërkombëtar për kryeministrin britanik, Keir Starmer, para se t’ia dorëzojë çelësat e qeverisë Andy Burnhamit në fund të këtij muaji. Ai nuk mbërriti në Ankara me një situatë të favorshme.

Starmeri erdhi pa një plan të qartë se si Mbretëria e Bashkuar do t’i përmbushë objektivat për shpenzimet e mbrojtjes të kërkuara nga Trumpi.

Plani për Investimet në Mbrojtje, të cilin Starmeri e publikoi javën e kaluar, parashihte vetëm arritjen e nivelit prej 2.7 për qind të GDP-së për mbrojtje deri në vitin 2029, ndërsa nuk përcaktonte një plan se si vendi do të arrinte objektivin prej 3.5 për qind deri në vitin 2035.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Dan Jarvis, i tha POLITICO-s se beson se është “mision jetik” që të hartohet sa më shpejt një rrugë drejt arritjes së 3.5 për qindëshit. Kjo, shtoi ai, ishte mesazhi që planifikonte ta përcillte në Ankara.

Megjithatë, kjo mund të mos mjaftojë për ta shmangur zemërimin e Trumpit, i cili tashmë është i pakënaqur me homologun e tij britanik për atë që e sheh si dështim të Starmerit për ta mbështetur SHBA-në gjatë luftës në Iran. FQINJI NË NEVOJË JASHTË SKENËS – Volodymyr Zelensky Jo të gjithë personazhet kryesorë janë pjesë e familjes së NATO-s.

Pas përballimit të sulmeve të shumta vdekjeprurëse me raketa balistike nga Moska në ditët e fundit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Ankara për t’u takuar me fqinjët e tij në NATO, me mbrojtjen ajrore si prioritet kryesor. “Ju lutemi, na ndihmoni të sigurojmë më shumë raketa për mbrojtjen ajrore.

Ky është prioriteti ynë kryesor tani”, u tha Zelensky pjesëmarrësve në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s. Udhëheqësi ukrainas e ka bërë vazhdimisht këtë kërkesë gjatë javëve të fundit.

Madje ai i shkroi një letër Trumpit dhe Kongresit amerikan për të kërkuar më shumë sisteme mbrojtjeje amerikane Patriot, të cilat janë të pajisura në mënyrë të veçantë për t’u përballur me sulmet ruse me raketa balistike.

Por lufta në Iran e ka zvogëluar edhe më tej një rezervë tashmë të kufizuar globale të raketave Patriot, duke lënë SHBA-në me mungesë të këtyre sistemeve për të riarmatosur Kievin e goditur nga lufta. Zgjidhja e Trumpit? Që Ukraina t’i prodhojë vetë Patriotët. “Ne do t’ju japim licencë që t’i prodhoni Patriotët”, i tha Trumpi Zelenskyt para një takimi dypalësh të mërkurën.

“Në këtë mënyrë, nuk mund të ankoheni se nuk po ju japim mjaftueshëm. Unë them: prodhojini vetë”. Edhe pse shtoi se “ende nuk i kemi treguar kompanisë”, Trumpi u shpreh i bindur se gjithçka “do të rregullohet”. Në një shenjë shqetësuese për angazhimin e SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit, Trumpi u tha gazetarëve të martën se lufta “nuk na prek neve”.

Burimi: Koha