Diplomojnë kadetët e rinj të FSK-së

0%

Shpërndaje në: Ka diplomuar gjenerata e vitit 2026 e kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ceremonia e diplomimit të 12 kadetëve është mbajtur të premten në Prishtinë. Në të kanë marr pjesë ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Fotografi nga ceremonia e diplomimit – (Foto: Driton Paçarada – KOHA) Haxhiu: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik Haxhiu në deklarimin e saj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës sipas saj, po ndërton kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike.

Haxhiu tha se diplomimi shënon fillimin e një përgjegjësie të re për oficerët e rinj, të cilët gjatë katër viteve kanë kaluar një proces të plotë akademik dhe ushtarak. “Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë këtyre viteve, përmes programit të integruar akademik dhe ushtarak, keni përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht keni kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ka ngulitur disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri.

Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj njerëzve që dinë të mendojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë shpejt e me integritet”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbeten themelet e lirisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje oficerëve të rinj që ta ushtrojnë detyrën me ndershmëri, integritet dhe përgjegjësi. “Kjo ditë u përket në radhë të parë sigurisht juve, kadetë.

U përket familjeve tuaja, të cilat i falënderoj nga zemra për mundin, disiplinën dhe edukimin që ju kanë dhënë. I përket Akademisë që ju ka përgatitur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi më të mëdha të jetës së tyre”, tha ajo.

Ajo theksoi se grada ushtarake bart përgjegjësi dhe duhet të justifikohet me profesionalizëm e integritet. Kurti: Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje Ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se në mandatin e ardhshëm synohet investimi i 1 miliard eurove në mbrojtje, ndërtimi i fabrikës së municioneve dhe rritja e numrit të vajzave si pjesë e ushtrisë.

“Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro, do t’i kemi 1 mijë vajza pjesë të ushtrisë sonë. Do ta kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do t’i kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakë më të përgatitur e më të shkolluar se asnjëherë më parë, sepse pjesë e ushtrisë sonë janë pikërisht këto vajza”, tha Kurti.

Ai theksoi se, përveç pajisjeve moderne dhe investimeve, elementi më i rëndësishëm i ushtrisë mbeten ushtarakët e përgatitur dhe të përkushtuar ndaj atdheut. “Nga sot nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqësit e së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve keni përjetuar vështirësi, keni sfiduar veten dhe jeni detyruar të arrini rezultate.

Gjatë kësaj periudhe jeni ngarkuar me vlera të larta, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta keni si oficerë të Republikës. Qeveria e Kosovës gjatë këtyre viteve mbrojtjen e ka vendosur si njërën ndër prioritetet kryesore”, tha Kurti. Ai tha se një ushtri moderne nuk ndërtohet vetëm me investime në pajisje ushtarake.

“Kjo është komponenta thelbësore e Forcës së Sigurisë. Për të pasur një ushtri të përgatitur, të trajnuar dhe të pajisur me pajisje moderne nuk është e mjaftueshme nëse ushtria jonë nuk shquhet me njerëz të devotshëm që e duan atdheun më shumë se veten”, tha ai.

Burimi: Koha