Diplomati i sprovuar në Evropën Lindore që do të udhëheqë misionin e

0%

Për herë të parë në krye të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë është vendosur një diplomat gjerman. Dirk Schübel, i mandatuari i ri si Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, ka një karrierë mbi 30-vjeçare në diplomacinë evropiane dhe atë gjermane.

I emëruar zyrtarisht nga Këshilli i Bashkimit Evropian si Përfaqësuesi i ri Special i BE-së (EUSR) për Kosovën, ai do të marrë zyrtarisht detyrën më , për një mandat fillestar dyvjeçar, duke zëvendësuar diplomatin estonez, Aivo Orav.

Schübel sjell me vete një përvojë në menaxhimin e zonave të nxehta gjeopolitike, duke pasur parasysh shërbimin e tij të mëparshëm si Shef i Delegacionit të BE-së në Moldavi dhe Bjellorusi, si dhe rolin e tij të fundit si drejtues i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Bazuar në biografinë e tij zyrtare , karriera e Schübel përfshin një sërë pozicionesh udhëheqëse në Shërbimin Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Europian dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Përpara këtij emërimi, ai ka shërbyer si Shef i Divizionit për Rusinë në EEAS, një post që e ka mbajtur edhe gjatë periudhës 2018–2019.

Pjesa më e madhe e angazhimit të tij lidhet me fqinjësinë lindore të BE-së, ku nga viti 2022 deri në vitin 2024 ka qenë i Dërguar Special i BE-së për Partneritetin Lindor. Ai ka udhëhequr Delegacionin e BE-së në Bjellorusi midis viteve 2019 dhe 2022, si dhe ka shërbyer si Ambasador dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Moldavi nga viti 2009 deri në vitin 2013.

Gjatë viteve 2013–2018, ai ka drejtuar divizionin bilateral për Partneritetin Lindor, duke menaxhuar marrëdhëniet e bllokut me Ukrainën, Moldavinë, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin, ndërsa nga viti 2006 deri në 2009 ka qenë Shef i Seksionit Politik në Kiev për Ukrainën dhe Bjellorusinë.

Kriza diplomatike e qershorit 2021 në Bjellorusi shënoi një nga periudhat më kritike në karrierën e diplomatit gjerman Dirk Schübel, kur regjimi i Lukashenkos pezulloi pjesëmarrjen në Partneritetin Lindor të BE-së si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve evropiane.

Teksa në atë kohë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e dënoi këtë vendim duke paralajmëruar pasoja negative për popullin bjellorus dhe për sigurinë kufitare me Poloninë e Lituaninë, Ministria e Jashtme në Minsk e thirri në takim kreun e delegacionit të BE-së në Bjellorusi, Dirk Schübel, duke e ‘inkurajuar’ që të kthehej në Bruksel për t’i përcjellë udhëheqjes së tij qëndrimin bjellorus.

Ndërkaq, bazuar në të dhënat tjera online , në përfundim të mandatit të tij në gusht të vitit 2013 në Moldavi si shefi i Delegacionit të BE-së Dirk Schübel, u dekorua me urdhrin shtetëror “Order of Honor” (Urdhri i Nderit) nga ish-presidenti moldav, Nicolae Timofti.

Gjatë takimit të lamtumirës në Rezidencën Shtetërore, Timofti vlerësoi lart kontributin e diplomatit gjerman, duke theksuar se marrëdhëniet midis Moldavisë dhe Bashkimit Evropian ishin fuqizuar ndjeshëm gjatë atyre viteve.

Përvoja e tij shtrihet edhe në strukturat e Komisionit Europian, ku që nga viti 1993 ka punuar në drejtoratet e përgjithshme për Zgjerim, Tregti, si dhe Energji dhe Transport. Në hapat e parë të karrierës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Schübel është marrë me marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare dhe promovimin e tregtisë së jashtme.

Në aspektin personal, ai është i martuar dhe ka një vajzë. Deri më tani, ambasadorët e BE-së apo Përfaqësuesit Specialë në Kosovë që nga viti 2008 kanë qenë nga vende të tjera si: Holanda (Pieter Feith, 2008 – 2011), Italia (Fernando Gentilini, 2011), Sllovenia (Samuel Žbogar, 2012 – 2016), Bullgaria (Nataliya Apostolova, 2016 – 2020), Çekia (Tomáš Szunyog, 2020 – 2024) dhe Estonia ( Aivo Orav, nga viti 2024- mars 2026).

Dy diplomatët e parë në këtë listë, Pieter Feith dhe Fernando Gentilini, mbanin një mandat të dyfishtë. Ata shërbenin njëkohësisht si Përfaqësues Specialë të BE-së dhe si Përfaqësues Civilë Ndërkombëtarë (ICR), duke pasur autoritet të drejtpërdrejtë për mbikëqyrjen e zbatimit të Pakos së Ahtisaarit.

Me përfundimin e pavarësisë së Kosovës të shpallur në vitin 2008 por të mbikëqyrur deri në vitin 2012 dhe mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), ky rol ekzekutiv mori fund. Që nga ardhja e Samuel Žbogar e deri më sot, roli i emisarëve të BE-së u zhvendos tërësisht drejt lehtësimit të reformave për integrim evropian dhe mbështetjes së Dialogut Kosovë-Serbi.

Mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian (EUSR) fokusohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumëetnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit të synuar publik dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese.

Përgjegjësitë kryesore përfshijnë monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë; kontributin në konsolidimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së pakicave; si dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të BE-së për të siguruar një prani koherente dhe të dukshme.

Për më tepër, mandati përfshin ofrimin e udhëzimeve politike lokale për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovë) dhe mbështetjen e Dialogut Beograd-Prishtinë për të nxitur stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Në historikun e EULEX-it ka pasur vetëm një gjerman në krye të misionit, diplomati Bernd Borchardt (2012–2014).

Burimi: Kallxo