Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujtoi sot poetin, dramaturgun dhe rilindësin Andon Zako Çajupi në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke vlerësuar kontributin e tij të shquar në letërsinë dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Andon Zako Çajupi u nda nga jeta më në Kajro të Egjiptit.
I lindur më në Sheper të Zagorisë, ai u bë një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, ndërsa pseudonimin letrar “Çajupi” e mori nga mali i vendlindjes së tij. Pas studimeve për drejtësi në Gjenevë, Çajupi u vendos në Kajro, ku u angazhua në veprimtarinë patriotike të kolonisë shqiptare dhe mbrojti me vendosmëri çështjen kombëtare.
Vepra e tij më e njohur, “Baba Tomorri”, botuar në vitin 1902, e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare. Trashëgimia e tij përfshin gjithashtu komedi, drama, poema satirike, si dhe përkthime e përshtatje letrare.
Ai la pas një trashëgimi të pasur letrare që vijon me komedinë “Pas vdekjes” (1937), tragjedinë “Burri i dheut” (1935), poemën satirike “Baba Musa lakuriq”, si dhe përkthime e përshtatje nga letërsia franceze e sanskrite. Vjershat e tij patriotike frymëzuan çetat e lirisë dhe kryengritjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë më 1912.
Çajupi mbajti qëndrime të vendosura demokratike dhe antimonarkiste, duke protestuar kundër shpalljes së mbretërisë nga Ahmet Zogu. Ky qëndrim ia mbylli rrugën kthimit në mëmëdhe, por nuk ia zbehu kurrë dashurinë për Shqipërinë. Me veprën e tij, Çajupi u bë pas Naimit poeti më i njohur i kombit, duke i dhënë frymë të re letërsisë dhe mendimit shqiptar.
Akademia e Shkencave thekson se krijimtaria e Çajupit, e mbushur me frymë patriotike dhe ideale kombëtare, frymëzoi breza të tërë shqiptarësh në përpjekjet për liri dhe pavarësi. Përmes veprës së tij, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe i Rilindjes Kombëtare.
