Edhe tre muaj e ndajnë Bosnjë e Hercegovinën nga zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa gara për një vend në Presidencën e këtij shteti veçse është në kulmin e saj. Tashmë janë bërë të ditur emrat e kandidatëve që do të kërkojnë besimin e votuesve.
Mes tyre ka politikanë që kanë qenë më parë pjesë e udhëheqjes shtetërore, por edhe të tjerë për të cilët kjo është përpjekja e parë për t’u bërë anëtarë të Presidencës kolektive të shtetit.
Në zgjedhjet e përgjithshme, të caktuara për 4 tetor, qytetarët do të zgjedhin tre anëtarë të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës – anëtarin boshnjak dhe atë kroat nga Federata e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe anëtarin serb nga Republika Sërpska. Kush janë kandidatët nga Federata e Bosnjë e Hercegovinës?
Për postin e anëtarit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e boshnjakëve garojnë tre kandidatë, ndërsa dy prej tyre e kanë ushtruar më parë këtë funksion. Anëtari aktual i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, po kërkon sërish besimin e votuesve.
Ai është kandidat i Partisë Socialdemokrate të Bosnjë e Hercegovinës (SDP BiH), ndërsa kandidatura e tij mbështetet edhe nga koalicioni i njohur si “Trojka”, të cilin, përveç SDP-së, e përbëjnë edhe partia Njerëzit dhe e Drejtësia (NiP) dhe Partia Jonë.
Beqiroviq e shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij në janar të këtij viti, me mbështetjen e 12 partive politike që, së bashku me SDP-në, marrin pjesë në qeverisje në nivele të ndryshme në Bosnjë e Hercegovinë. Para mandatit të tij aktual, në të cilin u zgjodh në vitin 2022, ai ka shërbyer që nga viti 2019 si delegat në Dhomën e Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës.
Beqiroviq ka një përvojë të gjatë politike. Në institucionet shtetërore ai është aktiv që nga viti 2006, ku ka ushtruar funksione të ndryshme si deputet dhe delegat. Karrierën e tij politike, në nivelet më të larta të pushtetit, e nisi që në vitin 1998, kur u zgjodh deputet në të dy dhomat e Parlamentit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.
Ai ka diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tuzllës, ndërsa doktoratën e ka përfunduar në Universitetin e Sarajevës. Në garën për postin e anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës është sërish edhe kryetari i Partisë të Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq.
Izetbegoviq u zgjodh për herë të parë anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës në vitin 2010, pasi kishte përfunduar një mandat si deputet në Dhomën Popullore të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës. Besimin e votuesve e fitoi edhe në zgjedhjet e vitit 2014, duke siguruar mandatin e tij të dytë radhazi.
Pas përfundimit të mandatit në Presidencë, ai e vazhdoi angazhimin politik në Dhomën Popullore ttë Bosnjë e Hercegovinës, ku shërbeu si deputet, por edhe si kryesues i kësaj dhome. Karriera parlamentare e Izetbegoviqit është e gjatë për mbi dy dekada. Ai u përfshi për herë të parë në listat zgjedhore në vitin 2000, kur u zgjodh deputet në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës.
Dy vjet më vonë u zgjodh edhe deputet në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Ai është kryetar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) që nga viti 2015. Me profesion është arkitekt dhe është djali i themeluesit të SDA-së dhe ish-presidentit të Bosnjë e Hercegovinës, Alia Izetbegoviq.
Në mesin e kandidatëve për postin e anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës është edhe Semir Efendiq, kryetar i Partisë për Bosnjë e Hercegovinën. Efendiq ka përvojë shumëvjeçare politike në nivel lokal. Ai është në krye të komunës Novi Grad të Sarajevës që nga viti 2012 dhe aktualisht po ushtron mandatin e tij të tretë radhazi si kryetar komune.
Karrierën politike e nisi në vitin 2001 në SDA, ku ishte anëtar i Kryesisë Qendrore. Partinë e braktisi në vitin 2021, pas së cilës e vazhdoi angazhimin politik në Partinë për Bosnjë e Hercegovinën. Ai ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, ndërsa titullin magjistër në administratë publike e ka fituar në Malajzi.
Në garën zgjedhore është edhe Fahrudin Radonçiq, kryetar i Bashkimit për një të Ardhme më të Mirë të Bosnjë e Hercegovinë. Gjatë karrierës së tij politike, ai ka ushtruar dy herë detyrën e ministrit të Sigurisë të Bosnjë e Hercegovinës – nga viti 2012 deri në vitin 2014 dhe sërish nga viti 2019 deri në vitin 2020.
Ai ka qenë gjithashtu deputet në Dhomën Popullore të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës për dy mandate. Radonqiq ka përfunduar Fakultetin për Mësues të Artit Figurativ në Nikshiq.
Tre kandidatë nga radhët e kroatëve Bashkimi Demokratik Kroat i Bosnjë e Hercegovinës (HDZ BiH) ka kandiduar Darijana Filipoviqin për postin e anëtares së Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e kroatëve. Filipoviq hyn në garën për funksionin më të lartë shtetëror, teksa ushtron rolin e deputetes në Parlamentin e shtetit dhe atë të nënkryetares së HDZ-së së Bosnjë e Hercegovinës.
Angazhimin e saj politik e nisi në vitin 2011, kur u zgjodh sekretare e Forumit Rinor kantonal të HDZ-së së Bosnjë e Hercegovinës. Tre vjet më vonë u zgjodh deputete në Parlamentin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Ajo ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Mostarit, në drejtimin ekonomi e biznesit – menaxhment.
Zdenko Luçiq është kandidati i përbashkët i të ashtuquajturës “Pesëshja” – një koalicion prej pesë partish kroate, që përbëhet nga Bashkimi Demokratik Kroat 1990, Partia Republikane Kroate, Lëvizja Kombëtare Kroate, Partia Fshatare Kroate dhe Aleanca Demokratike Kroate. Luçiq është një nga themeluesit e Bashkimit Demokratik Kroat të Bosnjë e Hercegovinës (HDZ BiH).
Karrierën politike e nisi pas zgjedhjeve të vitit 1998, kur fitoi mandatin e deputetit në Parlamentin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Pas ndarjes nga HDZ-së në fillim të viteve 2000, ai e vazhdoi angazhimin politik në Kroaci, ku iu bashkua partisë Rilindja e Vërtetë Kroate, e drejtuar nga Mirosllav Tuxhman, djali i presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tuxhman.
Në atë parti ai ushtroi detyrën e sekretarit të përgjithshëm, ndërsa në vitin 2002 u zgjodh edhe këshilltar në Këshillin Bashkiak të Makarskës. Me profesion është jurist i diplomuar, ndërsa mban edhe gradën gjeneral brigade.
Kandidati i Frontit Demokratik për postin e anëtarit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e kroatëve është Sllaven Kovaçeviq, bashkëpunëtor i kahershëm politik i anëtarit aktual të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhellko Komshiq. Kovaçeviq që nga viti 2018 ushtron detyrën e këshilltarit për politikë të jashtme në kabinetin e Komshiqit.
Para kësaj, angazhimin e tij politik e nisi në Partinë Socialdemokrate të Bosnjë e Hercegovinës ndërsa më pas iu bashkua Frontit Demokratik. Ai ka qenë këshilltar në Këshillin Komunal të Qendrës së Sarajevës nga viti 2004 deri në vitin 2016, ndërsa për dy mandate ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Qytetit të Sarajevës.
Ka diplomuar dhe ka doktoruar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës. Kush janë kandidatët nga Republika Sërpska? Anëtarja aktuale e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, do të kërkojë sërish besimin e votuesve për një mandat të ri si përfaqësuese e popullit serb, si kandidate e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).
Cvijanoviq ushtron disa funksione brenda partisë – është anëtare e Kryesisë Ekzekutive dhe e Kryesisë Qendrore, sekretare për marrëdhënie ndërkombëtare e SNSD-së, si dhe nënkryetare e Degës së Banjallukës.
Karrierën politike e nisi në vitin 2006 si këshilltare për integrimet evropiane dhe bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, e më pas si shefe e kabinetit të kryeministrit të atëhershëm të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Katër vjet më vonë u emërua ministre për Marrëdhënie Ekonomike dhe Bashkëpunim Rajonal të Republikës Sërpska.
Në vitin 2013 mori detyrën e kryeministres së Republikës Sërpska, funksion që e ushtroi për dy mandate radhazi. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018 u zgjodh presidente e Republikës Sërpska, ndërsa katër vjet më vonë u zgjodh anëtare e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.
Para marrjes së detyrës në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj saj për, siç u tha, minimin e legjitimitetit dhe funksionalitetit të Bosnjë e Hercegovinës. Sanksione ndaj saj vendosën edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat ia hoqën në tetor të vitit 2025. Me profesion është profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë angleze.
Ka diplomuar në Fakultetin Filozofik në Banjallukë, ndërsa ka përfunduar studimet master në fushën e së drejtës diplomatike dhe konsullore. Kandidaturën për postin e anëtarit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga Republika Sërpska e ka shpallur edhe Nebojsha Vukanoviq, lider i Listës për Drejtësi dhe Ligj.
Vukanoviq është deputet aktual në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska dhe në jetën politike njihet si një nga figurat më të zëshme të opozitës në këtë entitet. Nga viti 2014 deri në vitin 2018 ai ishte këshilltar i Mlladen Bosiqit, atëherë kryesues i Dhomës Popullore të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës.
Mandatin e tij të parë si deputet në Parlamentin e entitetit serb e fitoi në vitin 2018, pas bashkëpunimit me Partinë Demokratike Serbe (SDS), ndërsa në zgjedhjet e vitit 2022, si bartës i listës së partisë së tij, siguroi edhe mandatin e dytë në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska. Ai ka përfunduar Fakultetin Filozofik në Nikshiq të Malit të Zi.
Cilat janë kompetencat e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës? Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës është një nga institucionet kryesore shtetërore.
Anëtarët e Presidencës udhëheqin politikën e jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, marrin pjesë në përfaqësimin e shtetit në organizata dhe institucione ndërkombëtare e evropiane, si dhe kanë kompetencë për emërimin e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë të Bosnjë e Hercegovinës.
Presidenca merr pjesë gjithashtu në negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, kujdeset për zbatimin e vendimeve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës, propozon buxhetin e shtetit dhe emëron kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.
