Shpërndaje në: Historiani serb Milivoj Beshlin vlerëson se perspektiva e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian po shkakton nervozizëm të madh te regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se konsolidimi i shtetësisë së Malit të Zi dhe rruga e tij drejt BE-së përbëjnë një goditje ndaj idesë së “Serbisë së Madhe”.
Sipas tij, reagimet e fundit të Beogradit, përfshirë incidentet në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat dhe sulmet verbale me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, dëshmojnë këtë nervozizëm.
“Mund ta shoh që me pranimin formal të Malit të Zi në BE, shpresojmë që e gjitha të ndodhë më 2028, e le të ndodhë edhe më 2030, do të jetë një goditje idesë për shtetin e madh të Serbisë, e cila javëve të fundit shpërfaq një nervozizëm të madh, nga këto incidentet që Vuçiqi bëri ose u përpoq të bënte në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, deri te të gjitha këto sulme të fundit ndaj Malit të Zi që vijnë nga Beogradi me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi”, ka thënë ai.
Beshlin u shpreh se festimi i 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi e ka befasuar regjimin në Beograd, pasi, sipas tij, ai kishte pritur që ndryshimet politike në Podgoricë ta çonin vendin në drejtimin e kundërt.
Edhe Arbëri 1 j. më parë Beshlin: Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore u nxit nga politikat jugosllave Ai shtoi se proceset politike dhe regjistrimi i popullsisë kanë treguar një legjitimitet gjithnjë e më të madh të shtetësisë malazeze, ndërsa rruga drejt Bashkimit Evropian gëzon mbështetje të gjerë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.
Sipas Beshlinit, regjimi i Vuçiqit po përpiqet ta eksportojë krizën e brendshme politike në Serbi, e cila, sipas tij, është shndërruar në një krizë të legjitimitetit të vetë presidentit serb.
