Jude Bellingham ishte heroi i Anglisë, duke shënuar dy gola dhe duke e udhëhequr skuadrën e Thomas Tuchel drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës, pas një ndeshjeje dramatike ndaj Norvegjisë. Trajneri anglez kishte kërkuar nga futbollistët e tij që të luanin pa frikë, të largonin “frenat” dhe të mos kishin pendesa në fazën vendimtare të turneut.
Bellingham e mori seriozisht mesazhin e tij dhe zhvilloi një nga paraqitjet më të mira në këtë Botëror. Norvegjia kaloi e para në epërsi në fundin e pjesës së parë, kur një harkim-goditje e Andreas Schjelderup përfundoi në rrjetën e Anglisë. Megjithatë, Bellingham reagoi duke shënuar një gol të shkëlqyer për barazimin e rezultatit.
Në pjesën e dytë, Norvegjia ishte skuadra më e mirë dhe krijoi disa raste, ndërsa Anglia vuajti dhe rrezikoi seriozisht eliminimin. Ndeshja shkoi në vazhdime, ku Bellingham u shfaq sërish në momentin vendimtar. Portieri norvegjez, Ørjan Håskjold Nyland, nuk arriti ta kontrollonte goditjen e Morgan Rogers, ndërsa mesfushori anglez përfitoi nga topi i kthyer dhe shënoi golin e fitores.
Ky ishte goli i gjashtë i Bellingham në turne, duke e futur atë në garë për “Këpucën e Artë” dhe për çmimin e lojtarit më të mirë të Kupës së Botës. Edhe pse Anglia nuk zhvilloi një paraqitje bindëse dhe të organizuar, momentet individuale të Bellingham rezultuan vendimtare, duke e dërguar skuadrën e Tuchel në mesin e katër kombëtareve më të mira të turneut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
