BE emëron gjermanin Dirk Schubel si Përfaqësues të ri Special për

0%

Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schubel si Përfaqësues të ri Special të BE-së për Kosovën, me mandat fillestar dyvjeçar, duke filluar nga 1 shtatori 2026. Ai do ta pasojë në këtë detyrë diplomatin estonez Aivo Orav. Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, Schübel është një diplomat me përvojë të gjatë në institucionet evropiane dhe në diplomacinë gjermane.

“Dirk Schubel është një shtetas gjerman dhe diplomat i lartë evropian me përvojë të gjerë në pozita udhëheqëse në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë”, thuhet në njoftim. Aktualisht, Schubel shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS.

Më herët ai ka qenë i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor, si dhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi dhe Moldavi. Këshilli i BE-së bëri të ditur se mandati i tij do të fokusohet në mbështetjen e stabilitetit, demokracisë dhe perspektivës evropiane të Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Mandati i Përfaqësuesit Special fokusohet në promovimin e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe angazhimit të synuar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Schubel do të ketë përgjegjësi për monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe koordinimin e angazhimit politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në njoftim theksohet gjithashtu se ai do të ofrojë udhëzime politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe do të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me synim avancimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Burimi: Telegrafi