Arsene Wenger ka dhënë mendimin e tij se cila skuadër mund ta ndalë Francën në rrugën drejt fitimit të Kupës së Botës. Franca erdhi në turneun që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë si favoritja absolute, ndërsa paraqitjet mbresëlënëse vetëm sa e kanë forcuar bindjen se mund ta fitojë titullin e tretë botëror më 19 korrik.
E udhëhequr nga ylli i jashtëzakonshëm, Kylian Mbappe, “Les Bleus” kanë pranuar vetëm dy gola në pesë ndeshjet e para, ndërsa penalltia e Mbappes ndaj Paraguait ua siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku të enjten do të përballen me Marokun.
Në një përsëritje të gjysmëfinales së vitit 2022, skuadra e Didier Deschamps mund të sigurojë pjesëmarrjen e tretë radhazi në gjysmëfinale nëse mposht kombëtaren afrikane. Në rast kualifikimi, Franca do të përballet me fituesin e duelit mes Spanjës dhe Belgjikës. Arsene Wenger beson se Franca do ta fitojë Kupën e Botës pasi, sipas tij, ka qenë skuadra më mbresëlënëse e turneut deri tani.
Megjithatë, ai mendon se nëse ndonjë ekip mund ta ndalë, ai është Spanja. “Franca do ta fitojë Kupën e Botës,” tha Wenger për “Sky Sport”. “E di që do të thoni: ‘Sigurisht që e thua këtë, sepse je fr ancez’”, shtoi ai. “Por kur analizon Kupën e Botës, turneu zhvillohet me një ritëm të caktuar dhe duhet të jesh në gjendje ta përballosh atë.
Për shembull, skuadrat aziatike u eliminuan sepse nuk mund ta përballonin intensitetin dhe ritmin e ndeshjeve. Nuk kishin cilësinë teknike të nevojshme për të konkurruar”, u shpreh ai. Wenger beson se Spanja, me të cilën Franca mund të përballet në gjysmëfinale nëse të dyja fitojnë ndeshjet e tyre, ka një cilësi që nuk e posedon asnjë kombëtare tjetër.
“Për mua, pyetja e vërtetë është Spanja. Nëse një skuadër është e aftë ta mposhtë Francën tani, do të thosha se është Spanja, sepse niveli i saj teknik është më i lartë se ai i Francës,” shtoi 76-vjeçari. “Ata kanë cilësi dhe një kulturë të futbollit kolektiv që askush tjetër në botë nuk e ka në atë nivel.
Kjo mund të jetë faktori vendimtar mes këtyre dy skuadrave, megjithëse Franca është fizikisht më e fortë”, bëri me dije ai. Nëse parashikimet realizohen dhe Spanja përballet me Francën në gjysmëfinale, fituesi i atij dueli pritet të konsiderohet favoriti kryesor për trofeun. Megjithatë, Gary Neville beson se një tjetër kombëtare ka shanse të mëdha.
Në anën tjetër të tabelës, Anglia përballet me Norvegjinë në çerekfinale pasi eliminoi bashkëorganizatoren Meksikë në një ndeshje spektakolare me pesë gola. Ndërkohë, Argjentina realizoi një rikthim të jashtëzakonshëm brenda 14 minutash për të mposhtur Egjiptin.
E frymëzuar nga shkëlqimi i Lionel Messit, Argjentina synon të bëhet kampione e botës për herë të dytë radhazi, pasi në finalen e vitit 2022 mposhti Francën. Gary Neville beson se pikërisht Argjentina është skuadra që ka gjasat më të mëdha për ta ndalur ekipin e Didier Deschamps. “E vetmja skuadër që mund ta ndalë Francën për momentin, për shkak të mentalitetit, është Argjentina.
Për shkak të ashpërsisë, karakterit të fortë dhe përvojës që kanë,” tha Neville për “ITV Sport” javën e kaluar. “Është e vetmja skuadër që shoh se ka unitetin e duhur për t’i bërë ballë Francës” , shtoi ai.
Megjithatë, Argjentina do të duhet të përmirësohet në fazën mbrojtëse nëse dëshiron të ngrejë trofeun pas më pak se dy javësh, pasi ka pësuar nga dy gola si ndaj Kepit të Gjelbër, ashtu edhe ndaj Egjiptit.
