Blerja e vazhdueshme e sistemeve moderne të armatimit nga Republika e Serbisë nuk përfaqëson më vetëm një proces të zakonshëm të modernizimit të forcave të armatosura.
Në rrethanat aktuale të sigurisë evropiane, të karakterizuara nga lufta në Ukrainë, rivaliteti strategjik ndërmjet fuqive të mëdha dhe rritja e shpenzimeve ushtarake në kontinent, çdo investim në kapacitete të avancuara luftarake ka ndikim të drejtpërdrejtë në arkitekturën e sigurisë rajonale.
Njoftimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për blerjen e raketave balistike supersonike kineze CM-400, si dhe paralajmërimi për shtimin e numrit të tyre, përbën një zhvillim me rëndësi strategjike.
Ky vendim është pjesë e një bashkëpunimi gjithnjë e më të thellë ushtarak ndërmjet Beogradit dhe Pekinit, i cili tashmë ka kaluar nga bashkëpunimi ekonomik në partneritet të dukshëm në fushën e mbrojtjes.
Sipas të dhënave të SIPRI për periudhën 2021–2025, 61% e armëve dhe pajisjeve ushtarake të importuara nga Serbia vijnë nga Kina, duke e bërë Pekinin furnizuesin kryesor ushtarak të Beogradit. Në vendin e dytë renditet Franca me rreth 12%, ndërsa Rusia ka rënë në 7%. Ky ndryshim tregon një transformim të rëndësishëm të orientimit të furnizimit ushtarak të Serbisë.
Ky bashkëpunim nuk kufizohet vetëm te raketat CM-400. Gjatë viteve të fundit Serbia ka siguruar nga Kina dronët luftarakë CH-92A dhe CH-95, sistemet kundërajrore FK-3 dhe HQ-17, si dhe teknologji të tjera të avancuara që rrisin ndjeshëm aftësitë operative të Forcave të Armatosura Serbe.
Veçanërisht shqetësues mbetet fakti se autoritetet serbe nuk kanë bërë publike as numrin e raketave të blera dhe as vlerën financiare të kontratës. Mungesa e transparencës krijon pasiguri strategjike dhe shton dyshimet mbi qëllimin real të këtij modernizimi ushtarak.
Nga pikëpamja ushtarake, raketat CM-400 janë armë me shpejtësi shumë të lartë dhe me aftësi për të goditur objektiva në distanca në 200–400 kilometra, varësisht nga konfigurimi. Në një rajon me hapësirë relativisht të vogël si Ballkani Perëndimor, kjo nënkupton se pothuajse të gjitha objektivat strategjike në vendet fqinje mund të përfshihen brenda rrezes së veprimit të tyre.
Për këtë arsye reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin për thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Kinës.
Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian e ka cilësuar këtë zhvillim si të papajtueshëm me orientimin strategjik që pritet nga një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, kjo armatosje ka prodhuar reagime edhe në rajon.
Kroacia ka kërkuar konsultime në kuadër të NATO-s, ndërsa deklaratat politike që pasuan tregojnë se gara e armatimit në Ballkan vazhdon të ushqehet nga mungesa e besimit reciprok dhe nga retorika politike. Nga këndvështrimi strategjik, Serbia po ndërton një model të shumëanshëm furnizimi me armë, duke blerë sisteme nga Kina, Franca, Rusia dhe prodhues vendas.
Megjithatë, pesha dominuese e teknologjisë kineze tregon se Pekini po fiton ndikim të rëndësishëm në sektorin e mbrojtjes serbe, duke e shndërruar Serbinë në partnerin më të afërt ushtarak të Kinës në Evropë.
Për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera të rajonit, këto zhvillime nuk duhet të interpretohen si arsye për alarm, por si sinjal për rritjen e vigjilencës strategjike.
Përgjigjja më e mirë nuk është gara në armatim, por forcimi i bashkëpunimit me NATO-n, modernizimi i kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimi i inteligjencës strategjike dhe koordinimi rajonal në fushën e sigurisë. Përfundim Modernizimi i ushtrisë serbe është një realitet që duhet analizuar me profesionalizëm dhe pa emocione.
Megjithatë, kur ky modernizim shoqërohet me mungesë transparence, me blerje të teknologjive të avancuara nga Kina dhe me retorikë politike konfrontuese, ai krijon paqartësi për objektivat afatgjata të politikës së sigurisë së Serbisë.
Në një periudhë kur Evropa përballet me sfida të shumta të sigurisë, ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor kërkon transparencë, besim reciprok dhe koordinim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët euroatlantikë. Në të kundërt, çdo hap që rrit perceptimin e kërcënimit mund të ndikojë negativisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
