Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Aktori legjendar Anthony Hopkins ka publikuar këngën e tij të parë si kompozitor i muzikës klasike, “Bracken Road”, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e tij artistike në moshën 88-vjeçare, ka shkruar The Guardian . Kënga është pjesë e albumit të tij debutues “Life Is a Dream”, i cili do të publikohet më 21 gusht.
“Bracken Road” bazohet në veprën “1947: Suite for Solo Piano and Orchestra” dhe është frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë së Hopkins në Margam, Uellsin Jugor. “Muzika ishte dashuria ime e parë, dëshira ime e parë. Kam kompozuar gjatë gjithë jetës sime. Disa nga këto vepra më kanë shoqëruar për dekada dhe vazhdoj t’u rikthehem.
E gjithë jeta ime është një ëndërr”, ka thën ë Hopkins, i cili ka nisur të luajë piano që në moshën katërvjeçare. Albumi është incizuar me Philharmonia Orchestra, nën dirigjimin e Gustavo Dudamel, ndërsa marrin pjesë edhe violonçelisti Gregorio Nieto dhe pianisti Sergio Tiempo. Hopkins e ka cilësuar bashkëpunimin me Decca Classics si privilegj të madh.
“Nën dirigjimin e Gustavo Dudamel, çdo notë mori një kuptim të thellë, duke krijuar një peizazh muzikor që i fton dëgjuesit të ndiejnë dhe të imagjinojnë diçka krejt personale”, ka thënë ai. Nga ana e tij, Dudamel ka vlerësuar talentin muzikor të aktorit. “Anthony Hopkins është një artist i rrallë, krijimtaria e të cilit shkon përtej aktrimit.
Muzika e tij ka bukuri, ndjeshmëri dhe mjeshtëri. Ai kompozon me zemrën e një rrëfimtari dhe instinktin e një poeti”, ka thënë ai.
