Nënkryetarja e Aleancës, Time Kadrijaj, i ka bërë thirrje liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të angazhohet në dialog politik me partitë parlamentare për formimin e institucioneve të reja.
Në ditën kur u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, Kadrijaj thotë për KosovaPress se nuk ka më arsye për vonesa dhe se tashmë përgjegjësia bie mbi LVV-në si fituese e zgjedhjeve për të siguruar mbështetjen e nevojshme politike për çështjen e presidentit.
Deputetja e zgjedhur nga radhët e Aleancës u shpreh se deri më tani nuk ka parë lëvizje konkrete nga Kurti për arritjen e një marrëveshjeje me subjektet e tjera politike, duke shtuar se bisedimet është dashur të kishin nisur edhe para certifikimit të rezultateve, pasi përbërja e Kuvendit ishte e njohur.
Kadrijaj: S’kemi parë angazhim të Kurtit për dialog politik për formimin e institucioneve të reja “Mirë që u certifikuan, domethënë u shqyrtuan të gjitha ankesat të cilat kanë pasur individët e caktuar për procesin zgjedhor. Tash s’ka mbetur hapësirë tjetër, domethënë duhet të thirret seanca e konstituimit të Kuvendit dhe duhet të vazhdojmë me konstituimin e Kuvendit.
Mirëpo ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje që është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Albin Kurti. E kemi parë që kohët e fundit po merret me simpoziume dhe me vizita në Greqi, që nuk janë të rralla këto vizita.
Nuk e kemi parë ndonjë angazhim, së paku deri tash, që ka vullnet për krijimin e qeverisë, po ju e dini që problematike është edhe zgjedhja e presidentit, në të cilën kërkohet të ketë 80 deputetë në sallë ”, thotë ajo.
Sipas Kadrijajt, LVV-ja duhet të punojë për krijimin e një konsensusi më të gjerë politik, duke pasur parasysh se për procedurat që lidhen me zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e 80 deputetëve në sallë.
Kadrijaj ritheksoi se Aleanca nuk synon të jetë pjesë e një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti, por tha se partia është e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit nëse plotësohen kërkesat e tyre. Ndër kërkesat e Aleancës është edhe pranimi i gazit amerikan, për të cilin deri tani janë shfaqur rezerva nga qeveria Kurti.
Kadrijaj: Nuk hyjmë në qeveri me Kurtin, të plotësohen kërkesat tona që të qëndrojmë për presidentin “ Aleanca ka dhënë qëndrimet e veta, ne nuk kemi ambicie që të jemi pjesë e qeverisë bashkë me Albin Kurtin.
Mirëpo, për hir të zgjidhjes së situatës politike, ngërçit politik, shkuarjes në zgjedhje të njëpasnjëshme, domethënë për një vjet e gjysmë i kemi pasur tri palë zgjedhje, atëherë duhet zoti Kurti të gjejë një konsensus, ndonjë emër konsensual ose të ketë ndonjë marrëveshje politike me partitë me të cilat mundet me siguru që t’i ketë 80 vota në sallë. Aleanca e ka treguar qëndrimin e saj.
Qëndrimi i Aleancës është i saktë, i kemi dhënë gjashtë pika në të cilat ne ndoshta do të qëndrojmë në sallë, që janë pika dominante dhe që janë pika në interes të Kosovës. Nëse i plotëson ato, do të qëndrojmë në sallë, pa kërkuar asgjë në këmbim” , deklaron Kadrijaj. Sipas saj, Aleanca është e hapur që të diskutojë me Kurtin për çështjen e presidentit dhe kërkesat që i ka paraqitur.
Aleanca e hapur për të diskutuar me Kurtin për çështjen e presidentit “M eqenëse i kemi parashtruar ato pyetje ose ato kërkesa që i ka pasur Aleanca, normal që duhet të diskutohet. Do të shohim në këto ditët në vazhdim, veç duhet të ketë lëvizje intensive nga Albin Kurti.
Thashë, deri tash ka mundur me pas lëvizje edhe para certifikimit të zgjedhjeve, s’ka qenë e nevojshme që të pritet, sepse rezultatet në fund të fundit janë ditur.
Ulëset për partitë politike janë ditur dhe s’ka pasur nevojë që zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje me e prit pas certifikimit të zgjedhjeve, sepse në fakt certifikimi i zgjedhjeve nuk ka sjellë ose këto ankesat nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim në ulëse për partitë politike ”, shton ajo.
Kadrijaj paralajmëroi se, në mungesë të një dialogu politik dhe një marrëveshjeje ndërmjet partive, ekziston rreziku që vendi të përballet sërish me bllokada institucionale dhe zgjedhje të reja. A ka rrezik për zgjedhje të reja? Kadrijaj: Mund të përsëriten skenarët e kaluar “ E thashë edhe këtë.
Meqenëse nuk kemi pasur entuziazëm ose s’kemi pasur ndonjë angazhim, është rreziku që të përsëriten skenarët e herëve të kaluara, sepse ndoshta zoti Kurti do t’i sigurojë 61 vota për qeveri, por s’i ka 80 vota për fillimin dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Thashë, këtu duhet të ketë ndonjë marrëveshje politike qoftë me LDK-në, qoftë me PDK-në, apo do të ketë marrëveshje për një kandidat konsensual. Nëse e garanton Lëvizja Vetëvendosje që plotësohen gjashtë kushtet që i ka vendosur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ne sigurisht që, meqenëse zoti Gjini i ka prezantuar, do të qëndrojmë në sallë.
Në të kundërtën, nëse s’plotësohen kushtet, s’kemi arsye të qëndrojmë në sallë ”, potencon ajo. KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit të mërkurën. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse. Certifikimi i rezultateve do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja, ku Kuvendi ka afat tridhjetë ditë që të mblidhet për t’u konstituuar.
