Prodhuesit vendorë në Kosovë po përballen me një sërë sfidash që po ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e tyre, duke filluar nga dalja në tregun e lirë të energjisë elektrike, rritja e kostove të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore e deri te ndryshimet ligjore që, sipas tyre, shpesh miratohen pa konsultim me bizneset.
Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në “Përballje Podcast”, ku tha se vitet e fundit sektori prodhues është përballur me presione të vazhdueshme.
Sipas tij, një nga sfidat më të mëdha ka qenë kalimi i bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, proces për të cilin prodhuesit kishin kërkuar një periudhë tranzicioni dhe konsultim me institucionet. “Ne kemi paralajmëruar se dalja në tregun e lirë të energjisë do të rriste kostot e prodhimit.
Kërkuam dialog dhe zgjidhje, por shqetësimet tona nuk u morën parasysh”, tha Ajvazi shkruan Telegrafi. Ai theksoi se rritja e çmimit të energjisë, por edhe e derivateve, gazit dhe lëndëve të para, ka bërë që prodhuesit kosovarë të jenë më pak konkurrues krahasuar me kompanitë në vendet e rajonit.
“Kur rriten kostot e energjisë, transportit dhe lëndëve të para, produkti ynë bëhet më pak konkurrues. Ndërkohë, shtetet e tjera përdorin politika që e mbështesin industrinë e tyre”, u shpreh ai. Një tjetër sfidë, sipas Ajvazit, mbetet mungesa e fuqisë punëtore, e ndikuar nga emigrimi dhe vështirësia për të gjetur punëtorë të kualifikuar.
Ai tha se kompanitë prodhuese kanë rritur pagat, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të zbutur mungesën e punëtorëve. “Sot një nga problemet më serioze është gjetja dhe mbajtja e punëtorëve. Edhe pse pagat në sektorin prodhues janë rritur, sfida mbetet e madhe”, deklaroi Ajvazi.
Duke folur për pagën minimale, ai tha se Shoqata e Prodhuesve nuk është kundër rritjes së saj, por theksoi se çdo vendim i tillë duhet të merret në dialog me sektorin privat dhe të shoqërohet me politika që ruajnë konkurrueshmërinë e bizneseve. “Ne nuk kemi qenë kundër pagës minimale.
Kemi kërkuar që vendimet të merren në konsultim me bizneset dhe të analizohen efektet që ato kanë mbi prodhimin”, tha Ajvazi. Ai shtoi se prodhuesit nuk kërkojnë privilegje apo subvencione, por politika të qëndrueshme ekonomike dhe një partneritet më të madh me institucionet.
Nga ushqimi te metali – Ajvazi zbulon cilët sektorë po e mbajnë gjallë ekonominë e Kosovës “Qëllimi ynë është të prodhojmë më shumë, të eksportojmë më shumë dhe të krijojmë vende të reja pune. Për këtë na duhen politika të parashikueshme dhe bashkëpunim me shtetin”, përfundoi Ajvazi ..
