AGK mirëpret dënimin për kanosjen ndaj gazetarit Kika, kërkon politika më të ashpra ndëshkimore

0%

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka dënuar me katër muaj burgim me kusht Agron Kyçyku, për shkak të kanosjes ndaj gazetarit të KTV-së, Ardit Kika.

Sipas AGK-së, gjykata ka shqiptuar ndaj Kyçykut një dënim me kusht me periudhë verifikuese prej një viti, si dhe një dënim plotësues, që ndalon qasjen e tij në rrjetet sociale për gjashtë muaj. “I akuzuari, Kyçyk, e ka pranuar fajësinë për veprën penale ‘Kanosje’ ndaj Kikës”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni e ka vlerësuar këtë vendim si të rëndësishëm në përpjekjet për ndëshkimin e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. “AGK-ja e mirëpret këtë vendim dhe e sheh atë si shumë të rëndësishëm në betejën për ndëshkimin e sulmeve ndaj gazetarëve”, thuhet në reagim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po ashtu, AGK-ja ka përsëritur thirrjen drejtuar institucioneve të drejtësisë për zbatimin e politikave më të ashpra ndëshkimore ndaj sulmeve kundër gazetarëve, duke vlerësuar se këto raste ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e medias në Kosovë.

Rasti ka të bëjë me kërcënimet që gazetari i KTV-së, Ardit Kika, kishte marrë në rrjetet sociale pas raportimit për një fabrikë të rreme të dronëve ushtarakë në Gjilan. Sipas AGK-së, i dënuari i kishte dërguar gazetarit një mesazh kërcënues, në të cilin, mes tjerash, kishte shkruar se “këta i ndal vetëm likuidimi në emër të popullit”.

Në fund, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka inkurajuar të gjithë gazetarët dhe punonjësit e mediave që të raportojnë çdo rast kërcënimi apo sulmi ndaj tyre në Policinë e Kosovës. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi