Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar raste kur ekspertë shqyrtues në OSHP kanë refuzuar të nënshkruajnë aktet e emërimit, me arsyetimin se detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në to bien ndesh me Ligjin për Prokurimin Publik. “Në tre (3) raste është identifikuar se ekspertët shqyrtues nuk kishin nënshkruar aktet e emërimit.
Mosnënshkrimi i akt emërimeve është arsyetuar nga ekspertët shqyrtues me arsyetimin se detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në aktet e reja të emërimit bien ndesh me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i cili përcakton qartë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre.”- thuhet në raport.
ZKA thotë se me Ligjin për Zyrtarët Publik aktet e emërimit dhe/apo kontratat e punës nënshkruhen nga të gjitha palët dhe duhet të jenë në harmoni me përcaktimet e këtij ligji, Ligjit të Punës, si dhe Ligjit për Paga në sektorin publik. Mosnënshkrimi i akteve të emërimit pa bazë ligjore bën që zyrtarët të ushtrojnë detyrën pa akte të vlefshme emërimi.
“Mosnënshkrimi i akteve të emërimit, pa ndonjë bazë ligjore ndikon që zyrtarët të ushtrojnë detyrën pa akte të vlefshme emërimi, të cilat përbëjnë dokumentin zyrtar që dëshmon pozitën, gradën dhe kategorinë e pagës së zyrtarit në institucion.”- vlerëson ZKA.
Kreut të OSHP-së iu rekomandua të sigurojë që zyrtarët të ushtrojnë detyrat vetëm me akte të vlefshme emërimi sipas legjislacionit në fuqi “Kryetari i OSHP-së duhet të sigurojë që të gjithë zyrtarët të ushtrojnë detyrat vetëm mbi bazën e akteve të vlefshme dhe të nënshkruara të emërimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”-rekomandon auditori.
Organi Shqyrtues i Prokurimit [OSHP] është pajtuar me gjetjen e raportit. Për më tepër, nëpërmjet letër konfimimit [] e ka konfirmuar pranimin e draft raportit për auditimin e pasqyrave financiare vjetore të Organi Shqyrtues i Prokurimit [OSHP] për vitin 2025, dhe janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, pa ndonjë koment shtesë për përmbajtjen e raportit.
OSHP ka marrë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky raport ka rezultuar me 8 rekomandime, pesë janë rekomandime të reja, tri rekomandime të përsëritura. Raporti i auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2024 ka rezultuar me 5 rekomandime.
Deri ne fund të auditimit të realizuar nga ZKA për vitin 2025 tre rekomandime nuk janë zbatuar ende, ndërsa dy rekomandime janë të mbyllura. Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se për vitin 2025 ka kryer 133 auditime. Po ashtu, në konferencë për media nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është njoftuar se 80 raste janë dërguar në prokurori gjatë vitit 2025.
Raportin e plotë të auditimit për vitin 2025 të Organi Shqyrtues i Prokurimit [OSHP] mund ta gjeni KËTU .
