Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës Ina Zhupa ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjeve në Banjat e Bënjës, duke i cilësuar ato si një shkatërrim të një prej pasurive natyrore dhe turistike më të çmuara të vendit.
Në një status publik, Zhupa sjell video nga betonizimi dhe shkatërrimi dhe denoncon faktin se, po shpenzohen rreth 2 milionë euro fonde publike për një projekt që po dëmton ekosistemin dhe identitetin natyror të zonës.
Ajo ngre shqetësimin se kjo është hera e dytë që qytetarët paguajnë për ndërhyrje në Bënjë, pasi edhe investimi i mëparshëm, me vlerë rreth 200 mijë euro, rezultoi i pasuksesshëm.
Zhupa kërkon transparencë dhe përgjegjësi për përdorimin e fondeve publike, duke theksuar se Banjat e Bënjës kanë nevojë për mbrojtje dhe menaxhim të kujdesshëm, jo për betonizim dhe ndërhyrje që rrezikojnë të dëmtojnë një pasuri të pazëvendësueshme natyrore.
