Nga: Agim Vinca Shpërndaje në: Mungesa e fotografisë së rektorit Çollakoviq në mesin e fotografive të rektorëve të tjerë nuk i bën nder Universitetit të Prishtinës si institucion Nuk kisha qenë një kohë të gjatë në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Dy vjet, tre, ndoshta edhe më shumë. Rastisi që të shkoj këto ditë.
Shkas: ceremonia e dorëzimit të diplomës “Gazetar i vitit” (Journalist of the Year) prezantueses së RTK-së, Alketa Gashi-Fazliu, akorduar nga Universiteti i Dallasit në Texas. U ula në rendin e parë, ku më thanë, kështu që përballë kisha panelin, kurse lart, përmbi kokat e panelistëve, fotografitë e rektorëve të Universitetit nga themelimi deri më sot.
Renditja e fotografive është kronologjike: Dervish Rozhaja, Idriz Ajeti, Feriz Krasniqi, Gazmend Zajmi, Minir Dushi, Hajredin Hoxha, Skender Karahoda, Ejup Statovci, Zenel Kelmendi, Enver Hasani, Mujë Rugova dhe Marjan Dema. Bie në sy mungesa e njërit nga rektorët e UP-së, rektorit të vetëm serb në historinë e tij, dr. Bozhidar Çollakoviq.
Sa më kujtohet, Çollakoviqi, mësimdhënës i Fakultetit të Mjekësisë, ka qenë rektor i UP-së kah mesi i viteve ’80, që i bie diku midis Hajredin Hoxhës dhe Skender Karahodës. (I pari shquhej për luftën kundër “nacionalizmit shqiptar”, kurse i dyti ia hapi dyert aparteidit në Universitetin e Prishtinës). Shtrohet pyetja: përse fotografia e rektorit Çollakoviq nuk është aty ku e ka vendin?
Ai është rektor i ligjshëm dhe si i tillë, volens nolens, është pjesë e historisë së këtij institucioni. Nuk e di kush e ka marrë këtë vendim, por mund ta marr me mend se duhet të jetë ndonjëri nga ata që e degraduan Universitetin tonë deri vonë të vetëm publik dhe që një veprim të tillë e kanë konsideruar akt “patriotik”.
Ne nuk kemi nevojë për veprime të tilla, sikundër nuk kemi nevojë të fshehim asgjë, sepse e vërteta është në anën tonë. Universiteti i Prishtinës nga themelimi në vitin 1970 ka qenë universitet dygjuhësh; mësimi në të gjitha fakultetet zhvillohej në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe serbokroate, ndërsa në Fakultetin Filozofik (sot Filologjik) funksiononin paralelisht dy degë “nacionale”: Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe dhe Dega e Gjuhës Serbokroate dhe e Letërsisë Jugosllave.
Ky ka qenë realiteti dhe ai nuk ka pse të fshihet. Ndërsa zhvillohej ceremonia në sallën e Rektoratit m’u kujtua diçka që më ka treguar kolegu im i fakultetit, atëherë kryetar i Konferencës Aksionale të Lidhjes së Komunistëve të Universitetit, Liman Matoshi.
Pas demonstratave të ’81-shit, përgjatë gjithë viteve ’80, studentët që identifikoheshin si pjesëmarrës në demonstrata largoheshin nga fakulteti. Disa profesorë shqiptarë, veçanërisht ata me pozita në hierarkinë e fakulteteve dhe të Universitetit, ishin të pamëshirshëm ndaj studentëve të tyre.
Në një nga mbledhjet ku është diskutuar për këtë problem, rektori Çollakoviq, paskësh thënë: “Unë e kam pasur kolege të studimeve në Beograd vajzën e Drazha Mihajlloviqit!”. (Për ata që nuk e dinë, Drazha Mihajlloviqi, gjeneral armate, ishte komandant i forcave çetnike dhe pas luftës u dënua me vdekje dhe u ekzekutua).
Mirëpo, ja që të bijës së tij, sipas dëshmisë së rektorit Çollakoviq, i qenkësh bërë e mundur të studionte në Universitetin e Beogradit.
Në kontekstin në të cilin është shqiptuar kjo deklaratë flet qartë për absurditetin e luftës politike që zhvillohej në Kosovë dhe veçanërisht në Universitetin e Prishtinës në vitet ’80: Procesin famëkeq të diferencimit ideopolitik, viktimë e të cilit kam qenë edhe vetë.
Pas mbarimit të mbledhjes e marr në telefon kolegun Matoshi për ta verifikuar atë që më ka pasë thënë shumë vjet më parë (gati gjysmë shekulli). – Po, thotë Limani, është e vërtetë. – E ka thënë në mbledhjen e Kolegjiumit të dekanëve, ndërsa diskutohej për largimin e vajzës së Ali Hadrit nga fakulteti ku studionte.
Nuk e di çfarë qëndrimi ka mbajtur më vonë zoti Çollakoviq, por pavarësisht nga ndryshimi eventual i qëndrimit të tij politik, ai ka qenë rektor i ligjshëm i Universitetit të Prishtinës, i zgjedhur në mënyrë të rregullt, prandaj e ka vendin në mesin e kolegëve të vet shqiptarë.
Fundja, është pjesë e historisë dhe historia, siç dihet, nuk ka nevojë e as mundësi të ndryshohet, e aq më pak të zhbëhet. (Autori ka qenë profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës)
