Shpërndaje në: Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresore dhe e pandryshueshme, teksa e ka cilësuar këtë vend si burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen në rajon.
Në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konjufca ka përmendur edhe bashkëpunimin ushtarak të Beogradit me Kinën dhe qëndrimet e tij ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.
Ai iu referua edhe deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila, sipas tij, ka deklaruar se nëse do të ishte në vendin e Slobodan Millosheviqit, do ta spastronte sërish etnikisht Kosovën. Konjufca tha se një deklaratë e tillë duhet të merret seriozisht jo vetëm nga Kosova, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që kanë investuar në sigurinë e rajonit.
“Ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me vende si Kina, dhe është i vetmi vend i cili në rajon mori pjesë në ceremoninë mortore të ish-udhëheqësit iranian Khamenei. Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dyzuar në arenën ndërkombëtare.
Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane.
Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën sërish është deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm ne, por edhe aleatët ndërkombëtar që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë e rajonit tonë.
Qëndrimet tolerante të Bashkimit Evropian ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar vetë Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste”, ka thënë Konjufca.
Edhe Arbëri 18 kor 2026 Kosova kërkon izolimin ndërkombëtar të Serbisë Konjufca nënvizoi se Kosova ka ruajtur një orientim të qartë pro-perëndimor, duke mbështetur aleancën perëndimore në përballjen me agresionin rus në Ukrainë.
“Rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës, si shtet sovran, dhe i pavarur, ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore ia ka vendosur Federatës Ruse.
Po ashtu, Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme.
Anëtarësimi në Bordin e Paqes i themeluar nga Presidenti Trump dhe dërgimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza në kuadër të Trupës Paqeruajtëse janë dëshmi e orientimit dhe e lojalitetit tonë ndaj këtij partneriteti, që e kemi”, ka thënë ai.
