Shpërndaje në: Një tërmet i fuqishëm ka goditur bregdetin verior të Japonisë të enjten, por agjencia meteorologjike e vendit ka thënë se nuk kishte rrezik për një cunami. Tërmeti ka goditur bregdetin lindor të Iëate në një thellësi prej rreth 50 kilometrash.
Lëkundja ka ndodhur në një zonë ku tërmete të forta janë raportuar vazhdimisht në muajt e fundit, përfshirë një që shkaktoi një paralajmërim njëjavor për mega-tërmet në dhjetor. Tërmeti, i cili goditi rajonin verilindor të Japonisë gjatë orës së pikut të mëngjesit të së enjtes, gjithashtu e tronditi lehtë Tokion.
Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar ose dëme, sipas zëdhënësit të lartë të qeverisë, Minoru Kihara. Centralet dhe objektet bërthamore, përfshirë centralin Fukushima Daiichi i cili u dëmtua nga tërmeti dhe cunami masiv i vitit 2011, dhe një impiant përpunimi të karburantit të shpenzuar në Aomori, nuk kanë raportuar ndonjë anomali nga tërmeti i së enjtes, ka thënë Kihara.
Japonia, e cila ndodhet në atë që njihet si Unaza e Zjarrit e Paqësorit, është një nga zonat më të prirura ndaj tërmeteve në botë. Të mërkurën pasdite edhe Venezuela është goditur nga dy tërmete të fuqishme, të cilat besohet se kanë shkaktuar shumë viktima. Deri më tani është raportuar për të paktën 32 të vdekur dhe 700 të lënduar atje.
