Kosova në konkurrencën e femrave ka vazhduar paraqitjet mbresëlënëse në FIBA Women’s European Championship for Small Countries 2026, duke mposhtur Andorrën me rezultat të thellë dhe duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.
Pas fitores në ndeshjen hapëse ndaj Armenisë, vajzat e Kosovës treguan edhe një herë forcën e tyre në parket, duke dominuar takimin nga minuta e parë deri në atë të fundit. Dardanet shfaqën lojë të disiplinuar në mbrojtje dhe efikase në sulm, duke krijuar epërsi të madhe që në pjesën e parë të ndeshjes.
Me këtë fitore bindëse, Kosova siguron matematikisht një vend në mesin e katër kombëtareve më të mira të turneut dhe vazhdon garën për medalje para tifozëve të saj në palestrën “Karagaç” në Pejë. Skuadra e drejtuar nga Lorik Kllokoqi ka treguar karakter, cilësi dhe unitet në dy ndeshjet e para, duke dhënë sinjale të qarta se synon të arrijë sa më larg në këtë kampionat.
Me dy fitore në dy ndeshje dhe me biletën e siguruar për gjysmëfinale, Kosova vazhdon ëndrrën evropiane në shtëpinë e saj.
